
Pas një shkëputjeje nga ekrani, Turjan Hysko është rikthyer me një intervistë ekskluzive për "The Dalina Show", në Andale Media, në një bisedë me Dalina Buzin. Për herë të parë, Turjani foli për eksperiencën 5-vjeçare në televizionin Klan dhe emisionin e humorit "Klanifornia", duke zbuluar se, për habinë tonë, ai ka qenë një projekt të cilin Turjani nuk e ka shijuar!
“Klanifornian unë e kam bërë pa dëshirë. Është hera e parë që po e them, është hera e parë që unë kam bërë kompromis. Pavarësisht se kishim shikueshmëri shumë të fortë sepse Klani është logo shumë e madhe, dhe vitin e pandemisë, derisa erdhi Big Brother-i,” nisi ai të tregonte.
Mungesa e dëshirës, Turjani shpjegoi më tej se lidhej me formatin e Klanifornias, e cila nuk e "lejonte" të ishte në maksimumin e tij si krijues, element ky shumë i rëndësishëm për të, siç evidentohet përgjatë gjithë intervistës:
“Për mua si krijues, nuk ishte krijim. Ishte një përzierje për të prodhuar diçka që kishte muzikë, që kishte humor, që kishte balet, për të prodhuar diçka të freskët.”
Dhe sado që e zotëron "rolin" e liderit, Turjan Hysko tha me bindje se menaxhimi i një trupe aq të madhe aktorësh është një pozicion të cilit nuk dëshiron t'i rikthehet më kurrë, për motivin të cilin e shpjegoi si më poshtë:
“Nuk ka gjë më të lodhshme dhe unë nuk i kthehem më kurrë. Unë nëse do të prodhoj një gjë, nuk i kalon 7 vetat. Ata nuk i ndan dot. Aktorin duhet ta lësh vetëm në të gjithë ngjyrat e tij. Ndërkohë, ata kanë, kredi, ata stres parkimi, ata kanë shkollat e fëmijëve, kanë çdo hall të një njeriu normal. Dhe unë i kuptoj të gjitha këto.”
Intervista e plotë me Turjan Hyskon: