Kim Kardashian, ishte e ftuar në episodin e 15 tetorit të podcast-it Call Her Daddy të Alex Cooper, ku foli për anët toksike të marrëdhënies me Kanye West.
"Kam një problem që mbaj mend vetëm anët e mira," tha fillimisht Kim, duke folur për lidhjet e saj të mëparshme. "Jam një person që fal shumë, por që kur jam divorcuar, nuk kam pasur më lidhje të tilla toksike."
Ajo shtoi se me kalimin e viteve ka fituar më shumë maturi në marrëdhënie:
“Mendoj se kur rritesh, thjesht nuk e toleron më atë lloj marrëdhënieje. S’ke më kohë për të.”
Divorci i Kardashian nga West u finalizua në nëntor 2022, pasi ajo kishte paraqitur kërkesën për ndarje në fillim të vitit 2021. Që atëherë, e vetmja lidhje e gjatë dhe publike e saj ka qenë me aktorin dhe komedianin Pete Davidson, nga tetori 2021 deri në gusht 2022.
Më vonë gjatë podcast-it, Kim u ndal më gjatë në ndarjen nga West.
“Njerëzit mund të thonë se kishte shenja dhe ndoshta unë nuk i kushtova vëmendje,” pranoi ajo.
“Kur dikush kalon një krizë të parë emocionale, natyrshëm do të jesh pranë, do të përpiqesh ta ndihmosh, të kuptosh çfarë po ndodh, të jesh aty për të.”
View this post on Instagram
Por ajo shtoi se Kanye nuk ishte i gatshëm të bënte ndryshime që ajo i konsideronte “shumë të shëndetshme dhe të dobishme.”
"Është shumë e vështirë të vazhdosh në një marrëdhënie që mund të bëhet toksike," tha ajo.
“Kur ke fëmijë, është edhe më e vështirë të largohesh sesa të qëndrosh. Dhe kjo ndryshon jetën e të gjithëve përgjithmonë.”
Megjithatë, Kardashian tha se vendosi të largohej për të qenë një shembull pozitiv për katër fëmijët e tyre.
“Kur shëndeti im mendor filloi të ndikohej dhe nuk po arrija të isha prind siç duhet, e pranishme dhe e përqendruar, e kuptova që dikush prej nesh duhet të ishte mirë. Duhej të shpëtoja veten që të isha një nënë më e mirë për të gjithë. Dhe mendoj se kur të rriten, do ta kuptojnë dhe do ta shohin këtë.”
Sa i përket pikës së fundit që e shtyu të ndahej, Kardashian përmendi deklaratat publike të Kanye kundër nënës së saj, Kris Jenner, dhe motrave të saj, si dhe ndjesinë e pasigurisë, jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe financiare.
West zbuloi se ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar pas publikimit të albumit të tij Ye në vitin 2018.