Kur mora ftesën nga përfaqësuesit e Acqua Panna-s në Shqipëri për një udhëtim 3-ditor në “vendlindjen” e këtij uji, në Toskanë, u gëzova shumë, sepse duke njohur markën dhe dëshirën që ka Panna për të shoqëruar gatimet më ekskluzive në restorantet high-class në mbarë botën, isha e sigurt që do të ishte një udhëtim i mrekullueshëm kulinarie. Aq më tepër në Toskanë, atje ku kanë lindur disa nga gatimet më të mira italiane. Kështu që e pranova me dëshirë ftesën, shtyva ditën e nisjes së dietës dhe u përgatita për 3 ditët, të cilat, në realitet, i kapërcyen parashikimet e mia.
TOSKANA
Zoti e mori pushim kur e krijoi
Takimi i parë me mrekullinë e këtij udhëtimi do të ishte hoteli, ku do të qëndronin jo vetëm media nga e gjithë bota, por edhe kuzhinierë të njohur e përfaqësues të ujit. “Una Hotel Poggio dei Medici” ndodhet në një nga kodrat e shumta të Toskanës, që të mahnitin me bukurinë e butë natyrore. Falë dashurisë së vendasve për këtë zonë, atje çdo gjë është ndërtuar në harmoni me natyrën, duke nisur nga arkitektura e mrekullueshme e shtëpive e deri tek rregulli në ndarjen e një ferme nga tjetra, diçka që zor se e gjen në Shqipëri. Përpara dhomës sime të hotelit, shtrihej një fushë e madhe golfi rrethuar nga pemë, ndërsa dhomat me një oborr përpara, të jepnin idenë e një shtëpie fshati.
TOKA E SHIJES SË MIRË
Prezantimi i parë me kuzhinën e Toskanës
Mbrëmja e parë ishte një prezantim surprizues i asaj çfarë do të ndodhte gjatë këtyre ditëve. Në pishinën e hotelit, Panna kishte organizuar një darkë me kuzhinierë të zgjedhur të Toskanës, shoqëruar me verën fantastike të zonës (nga ajo lloj vere, që jo vetëm s’të jep dhimbje koke të nesërmen, por të fal një gjendje të këndshme, ndërsa sheh se po mbaron një shishe). Në një tavolinë të madhe, shihnim se si përgatiteshin raviolit, sanduiçet me mishin e zonës, djathi pecorino dhe buka e bërë vetë (mendoj se kam provuar sanduiçet më të mira në botë), kaushë me sardele të pjekura në skarë, që të kombinuara me disa erëza, kishin një shije të mrekullueshme. Sa herë çoheshe të provoje diçka tjetër nga ajo tavolinë, ktheheshe me një kompliment edhe më të fortë se i pari për gatimet: “Mmm, kjo qenka fantastike!”, “Kjo qenka e mrekullueshme!”, “Provoje pak këtë se s’e ke provuar kurrë më parë shiko çfarë shije ka!” Atë mbrëmje patëm rastin të njiheshim edhe me pjesën tjetër të grupit: me pronarin e restorantit më të mirë të Bejrutit, administratorin e hotelit “4 Seasons” në Kajro, distributore ujit në Arabinë Saudite, prodhuesin italian të verërave të mrekullueshme, administratorin francez të një restoranti me famë në Dubai, si dhe Andreas Larson-in, somelier me origjinë nga Suedia, i cili ka fituar çmimin e parë si somelieri më i mirë i verërave në botë. Njëshkëmbim kulturash e humori, kombinuar me shijen e mrekullueshmenë pjatat dhe gotat tona, e përfunduan në mënyrë të përsosur natëne parë. Për të pritur të nesërmen vizitën në Villa Panna.
VILLA PANNA
Uji me histori të lashtë sa Firencja
A nuk je zgjuar një ditë e nuk ke thënë: “Dua të kem ujin më të mirë dhe dua të bëhem pjesë e restoranteve më me klas në botë!”? Kur pi ujin “Panna”, ti e di se historia e tij dhe e vendit ku e ka grykëderdhjen, është vetë pasaporta për në vendet më ekskluzive të botës, atje ku vlerësohet shija e lartë. Nuk ka se si të mos ketë pretendime ky ujë, shtëpia i të cilit është Villa Panna, është një nga vilat më të bukura jo vetëm të Toskanës, por të gjithë Italisë. E vendosur në majë të një kodre, me një stil të arkitekturës së Rilindjes dhe me një oborr të mrekullueshëm, nga ku shihen fusha e kodra që i përkasin Panna-s, ajo rrëfen një histori qindravjeçare. Daton rreth viteve 1500 dhe dikur ishte shtëpia e pushimit të familjes më të famshme të Firences, Medici. Kjo familje zotëronte gati gjysmën e Firences, duke përfshirë edhe pasuri kombëtare në qendër të qytetit të artit italian. Për të na rrëfyer historinë, uji Panna kishte aktivizuar dy ciceronë: njëri ishte drejtori i distribucionit të Panna-s në botë, i cili tregonte për zhvillimin e sotëm të Panna-s. Tjetri ishte një historian, me një veshje që dukej sikur kishte dalë nga “Tregtarët e Venecias” së Shekspirit, i cili rrëfente si një aktor i përkryer të kaluarën. Udhëtimi nga Vila vijoi me një ecje të gjatë nëpër tokën nën të cilën rridhte uji. Një specialist i zonës herë pas here u shtohej rrëfimeve, duke shpjeguar ndikimin e natyrës së mrekullueshme në përsosjen e këtij uji. Atje e kuptoje që, për të krijuar ujin perfekt, duhet edhe toka perfekte; se pemët kishin një rëndësi shumë të madhe, po ashtu edhe toka e moti i zonës. Ecjen tonë nëpër tokë e drejtonte ciceroni-aktor në kalë, që të krijonte përshtypjen se po shkelje në një tjetër epokë. Dashuria e Panna-s për natyrën dhe historinë ndihej ngado, që nga mënyra se si ishte ruajtur çdo pëllëmbë e kësaj toke, tek tufa e drerëve, që vraponte e qetë nëpër fusha (aq shumë drerë në një vend, kisha parë vetëm në Discovery Channel) e deri tek një nga demonstrimet më interesante, që patëm fatin ta shohim e unë do ta quaja: Gjuetia me skifterë. Një trajner i specializuar tregonte se si skifterët përdoreshin për të kapur gjahun në Mesjetë dhe demonstrimi që bënte me skifterët, ishte mahnitës. Sipas historisë, skifterët mbaheshin vetëm nga aristokracia, madje shumë njerëz të pasur të asaj kohe donin të pikturoheshin me një skifter në dorë. Udhëtimi nëpër tokën e Panna-s u përmbyll me një drekë në oborrin e vilës së Medici-t, me gatime tradicionale të Toskanës, ku mbizotëronte mishi. Gatimet e përkryera na rikthyen kaloritë e humbura gjatë ecjes së gjatë, por edhe na përgatitën për një mbrëmje të gjatë në një mrekulli tjetër të kësaj zone.
PALAZZO VICARI
dhe një pritje mbresëlënëse
Të mirat dhe fuqia e Panna-s ndiheshin kudo. Respekti që qytezat e Toskanës kishin për këtë kompani, që jo vetëm e përfaqësonte denjësisht këtë zonë në botë, por kujdesej për të mbrojtur natyrën e vendit, u dëshmua në pritjen madhështore që kryetari i bashkisë së Scarperia-s na bëri në sheshin përballë Palazzo dei Vicari-t. Një ceremoni me një bandë frymore dhe lojëra disashekullore ishte organizuar vetëm për grupin tonë. Më pas kjo pritje u shoqërua nga një darkë në ambientet e Pallatit, nën kujdesin e një kuzhinieri të famshëm me 1 yll Michelin. Në atë darkë, kam provuar biftekun më të mirë fiorentin, i cili gatuhej në moment në skarë, dhe ëmbëlsirën tradicionale të zonës “Torta della nonna” (Torta e gjyshes). Darka shoqërohej me një udhëtim historik. Në dhomat e këtij pallati, mund të shihje të ridramatizuar skena nga jeta e këtij pallati, që dikur shërbente si bashkia e qytetit Scarperia gjatë periudhës së Rilindjes.
FIRENCJA, MUZEU I BOTËS Firence!
Kisha qenë edhe më parë në Firence, por vendasit ta tregojnë edhe më mirë atë që s’mund ta gjesh në guidat turistike. Një ciceron, pedagog arti në universitet, na çoi në një udhëtim në Palazzo Vecchio (Pallati i vjetër), që i përkiste dikur Familjes Medici. Doni të dini sa të famshëm ishin ata atëherë? Për të zbukuruar dhomën e ndenjjes, që më saktë është një sallon rreth 500 m2, kishin kërkuar ndihmën e dy piktorëve, Mikelanxhelos dhe Da Vinçit.
Krahas muraleve mahnitëse, që përshkruajnë betejën e Firences, pallati të intrigon me mënyrën se si ishte organizuar jetesa. Në një dhomë të errët e të ngushtë, i izoluar nga pjesa tjetër e shtëpisë plot dritë e hapësirë, jetonte një prej djemve, i cili shpenzonte brenda kësaj hapësire klaustrofobike pjesën më të madhe të ditës. Leonora, spanjolle, e zonja e shtëpisë, kishte një apartament të sajin në katin e sipërm, të ilustruar me piktura që tregojnë historinë e femrave të njohura të asaj epoke. Ndërsa në katin e sipërm, në një dhomë të ngushtë, me një dritare të vogël, nga ku shihet salloni qendror, jetonte e dashura e Lorencos, i cili njëkohësisht kishte në shtëpi edhe gruan e tij. Jashtë pallatit qëndron një replikë e statujës së famshme të Davidit nga Mikelanxheloja, ndërsa brenda kishin nisur punimet për të zgjidhur misterin e një vizatimi të Da Vinçit, që mendohet se ndodhet nën muralen e piktorit Giorxho Vasari.
Universiteti i San Diego-s dhe rrjeti televiziv National Geographic kishin mbledhur rreth 1 milionë dollarë fond për të bërë një inspektim profesional. Edhe pse Italia po përjeton një kohë krize, në Firence askush nuk kursente për të mbrojtur artin. Edhe uji Panna ishte përfshirë në shumë projekte që synonin ruajtjen e vlerave të këtij qyteti. Drekën atë ditë e hëngrëm në një pallat tjetër të famshëm, të një familjeje dikur konkurrente e Medici-t, Palazzo Strozzi. Ky pallat, i lënë pas dore për një kohë të gjatë, falë donacioneve të Panna-s dhe kompanive të tjera, po rizgjohet dhe po kthehet në një qendër të rëndësishme të qytetit. Atë ditë, patëm mundësi të vizitonim ekspozitën e disa piktorëve amerikanë, ndër të cilët edhe i famshmi Sargent, të cilët e kanë vizituar ndër shekuj këtë qytet dhe kanë hedhur në telajo këndvështrimin e tyre për Firencen.
MELODIA DELL’ACQUA
Dita e tretë do të ishte edhe dita e fundit e vizitës sonë, që, për nga organizimi, ishte e përsosur. Edhe po ta kishim projektuar me fantazinë tonë, nuk do të mund të ishte kaq e përkryer sa u realizua: Ushqimet më të mira, verërat dhe uji më i shijshëm, bisedat interesante me pjesëtarë të tjerë nga i gjithë grupi dhe në sfond një natyrë që jo më kot vizitohet nga miliona turistë çdo vit! Çfarë mund të doje më shumë?! Ndoshta një melodi në sfond, si kolonë zanore e kësaj mrekullie. Panna kishte menduar edhe këtë detaj. Darka e fundit, e cila ishte nën kujdesin e Davide Oldani-t, shefit të restorantit më të famshëm milanez d’O (rezervimet në këtë restorant bëhen 6 muaj përpara), u parapri nga një koncert me dy instrumentistë me famë botërore: pianisti rus me origjinë çifute Joshua Nemtsov dhe violinisti gjerman Kolja Blacher. Nën titullin “Melodia e ujit”, ata interpretuan për rreth 1 orë sonata për piano dhe violinë nga Beethoven-i dhe Prokofiev-i në një skenografi elegante, të krijuar enkas në oborrin e Villa Panna-s. Pas koncertit, patëm mundësi të shijonim shpikjet interesante të shefit të kuzhinës së restorantit d’O, gatime që në bazë kishin ujin Panna. E kush do ta mendonte që edhe cilësia e ujit ka rëndësi në gatim?! Somelieri i famshëm nga Suedia na mësoi të kuptonim se, ashtu si vera, edhe uji i duhur e nxit shijen e mirë të një gatimi.
NJË PANNA
për të kujtuar shijen e mirë!
Ajo mbrëmje zgjati përtej planit të parashtruar. Falë këtij udhëtimi, ne krijuam miqësi të reja e mësuam më shumë për jetën dhe bizneset e njerëzve të suksesshëm, që vinin deri nga Australia e largët. Uji “Panna” ishte një “celebrity” në llojin e vet, ngado që shkoje. Restorantet më të famshme të Dubait, Sidneit, Bejrutit, Moskës, Nju-Jorkut, Parisit, preferojnë të përdorin në tavolinat e tyre vetëm ujin toskan. Dhe bëjnë mirë! Kur pi këtë ujë, pi historinë, artin, traditën, dashurinë për natyrën dhe të bukurën, që rrjedh në damarët e Firences dhe Toskanës. Pasi pamë vilën e mrekullueshme të Panna-s, kodrat e gjelbra dhe fshatrat e bukur, pasi ndiem aromën e pemëve që ruhen me fanatizëm e që ndihmojnë në përsosmërinë e ujit, pasi shijuam gatime të paharrueshme e plot art nga kuzhinierët më të mirë, pasi vizituam veprat më të famshme të artit në botë, nga Da Vinçi e Mikelanxheloja, suveniri më i bukur i asaj vizite 3-ditore ishte një gotë e gdhendur me emblemën e Panna-s.
Sa mirë që Acqua Panna gjendet në restorantet më të mira edhe në Shqipëri, sepse gjithmonë do të më risjellë kujtimet e një udhëtimi të paharrueshëm!