Selena Gomez rrëfeu emocionet pas kurorëzimit të dashurisë në konferencën Most Poëerful ëomen të revistës Fortune në Uashington D.C.
Ajo u pyet nga gazetarja Ellie Austin për një koment të mëparshëm të saj, në të cilin këngëtarja ka thënë se ndien sikur nuk e meritonte të ketë gjërat që ka.
Selena pranoi se shpesh e ka të vështirë të jetë e lumtur, pasi shpeshherë ndjen një ndjesi të pashpjegueshme frike.
“Personalisht funksionoj kështu: kur ndodh diçka e mrekullueshme në jetën time, menjëherë pres që të ndodhë diçka e keqe,” shpjegoi Gomez.
“Në vend që të jem e pranishme në moment dhe të them, ‘Uau, kemi arritur diçka të madhe’, gjë që në fakt e pranoj, unë mendoj: ‘Po sikur gjithçka të zhduket nesër? Si mund të sigurohem që kjo të mos ndodhë?”
Gomez tha se shpesh mbërthehet nga këto mendime dhe nuk arrin të shijojë të mirat që i ndodhin, madje as në ditën e saj të dasmës me Benny Blanco.
“Do të thoja se ky është problemi im më i madh, sidomos kur ndodhin gjëra të bukura,” tha ajo. “U martova dhe më pas shpërtheva në lot, sepse mendova: ‘Do vdes nesër.’ E di që duket e çuditshme, por është thjesht një gjë që më ndodh.”
Selena Gomez dhe Benny Blanco u martuan më 27 shtator në Kaliforni, pas dy vitesh lidhjeje. Ceremonia ishte plot yje dhe të pranishëm ishin emra të njohur si Taylor Swift, Steve Martin, Martin Short, Paul Rudd, Cara Delevingne, Ed Sheeran dhe SZA.