
Në episodin e fundit të "Goca dhe Gra", u diskutua një moment i ndarë më herët nga Ema Andrea në Instagram, ku ajo kishte publikuar një foto nga premiera e filmit të shkurtër “Njeri si ne”.
Në foto shihej një karrige në sallë me një letër sipër që shkruante “Rezervuar Enea” dhe mbishkrimin e aktores "Uroj të të ketë pëlqyer filmi, zemra ime ti", dedikuar vëllait të saj të ndjerë, Enea Andrea, i cili u nda nga jeta në dhjetor 2025.
Në studio, Ema Andrea shpjegoi se ky është një gjest që ajo e ka bërë edhe më herët, duke rezervuar një vend për të vëllanë në premierën e "Faustit", për faktin se Enea ishte gjithmonë i pranishëm në shfaqjet e saj. Ajo tha:
“Edhe kur u rikthyem me Faustin, unë i lashë një karrige Eneas. Mendova se e kam superuar këtë fazën e mos mbajturit të vetes. [teksa përlotet] Dhe është spektatori i jetës time, i përhershëm dhe i përjetshëm."
Më tej, aktorja tregoi se ndryshe nga më parë, premierat janë kthyer në ngjarje të hidhura për të, kjo për shkak të mungesës fizike të të vëllait:
"Gjithmonë kam patur një raport shumë të sinqertë edhe profesionalisht me të. Tani në këtë situatë për mua, të gjitha gëzimet janë të hidhura, siç janë premierat. Arti ka qenë gëzimi im, unë e kam patur festë çdo natë skene apo filmi. Por tani janë të hidhura të them të drejtën. Por unë përpiqem gjithmonë ta bëj gjestin minimal se kam dhe një bindje që sheh. Falenderoj edhe ata që ma lejojnë që karrigia e tij të jetë gjithmonë bosh.”
Më tej, ajo sqaroi edhe mënyrën si e përjeton këtë vendim në praktikë, duke e quajtur të vëllanë "spektatorin e zemrës së saj", mendimi për të cilin është kthyer në motivin që ajo të përfundojë shfaqjen:
“Në fakt ajo [karrigia] është bosh për të tjerët sepse për mua është gjithmonë plot. Është motivi në të dyja rastet që më ka shtyrë deri në fund që të mbaroj shfaqjen edhe të shijoj filmin, duke dëgjuar në kokën time se çfarë do thoshte. Është spektatori i zemrës time. Në përgjithësi jam shumë e pasigurt kur bëj shfaqje, jam si studente. Por e kam gjetur motivin e qetësisë, të paktën psikologjikisht te njerëzit që dua dhe i kam në sallë. Kanë qenë gjithmonë vëllai dhe motra, e thoja me vete, ‘Kam ata’.”

