
Instagram ka nisur të testojë funksionin e ri “Instants”, por përdoruesit nuk po e presin aspak mirë. Veçoria e re lejon dërgimin e fotove spontane drejt ndjekësve apo personave që ndjek, me synimin për ta bërë komunikimin më të menjëhershëm dhe “real”, në stilin e aplikacioneve si Snapchat apo BeReal. Fotoja “zhduket” pasi personi të cilit ia ke dërguar e hap atë një herë, por ruhet në arkivat e tua.
Megjithatë, shumë njerëz po ankohen se funksioni është jo vetëm i panevojshëm, por edhe shumë bezdisës dhe konfuzues. Përveç faktit që Instagrami tashmë konsiderohet i mbingarkuar me opsione të reja, përdoruesit thonë se problemi më i madh është pozicionimi i butonit të kamerës pranë mesazheve. Sipas tyre, është shumë e lehtë të shtypet pa dashje, duke hapur menjëherë kamerën dhe duke shkrepur foto aksidentalisht.
Madje, përdoruesit po ankohen se fotot ua kanë dërguar njerëzve pa pasur kohë ta kuptojnë çfarë ndodhi apo pa mundësi për ta zhbërë dërgimin.
Fatmirësisht, ekziston një mënyrë për ta çaktivizuar këtë funksion, të paktën për momentin.
Ja çfarë duhet të bëni:
- Hapni Instagramin
- Shkoni te profili juaj
- Klikoni tre vijat në cepin e sipërm
- Kërkoni seksionin “Content Preferences”

- Çaktivizoni opsionin që lejon shfaqjen automatike të tyre duke klikuar “Hide instants in inbox”


Në disa versione të aplikacionit, funksioni mund të mos jetë ende i disponueshëm ose mund të fshihet brenda opsioneve të testimit. Nëse nuk e gjeni dhe dëshironi ta testoni, një mënyrë tjetër është të përditësoni ose riinstaloni aplikacionin, pasi Instagram shpesh teston veçori të ndryshme vetëm për disa përdorues.
Për momentin, nuk dihet nëse “Instants” do të bëhen pjesë fikse e Instagramit apo nëse kompania do të tërhiqet pas reagimeve negative. Por një gjë është e sigurt: përdoruesit nuk po e presin aspak mirë këtë ndryshim.