
Dy vite pas vdekjes së Dorjana Hakës, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet duke i deklaruar fajtorë mjekët që ndoqën lindjen. Sot, prokuroria kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin e mjekëve të maternitetit "Koço Gliozheni", Petrit Rexhepi dhe Elona Burba. Masa e kërkuar për ta është heqje lirie për pesë vjet.

Gruaja e portierit Alban Hoxha u nda nga jeta në moshën 25-vjeçare, pasi solli në jetë një djalë. Lindja u krye me operacion, por siç edhe deklaroi nëna e Dorjanës, Hamide Haka, mjekët nuk bënë analizat e nevojshme përpara lindjes. (lexo këtu deklaratën e nënës)
Në mars ajo dëshmoi në gjykatë se ata as nuk e kishin hapur dosjen e analizave që kishin marrë me vete kur shkuan që Dorjana të lindte. Hamide Haka pohoi se pas operacionit nuk u paralajmërua në asnjë mënyrë për gjendjen jo të mirë të së bijës dhe se pas vdekjes, trupit të saj nuk iu krye autopsia.
Mjekët nga ana e tyre deklaruan se proçedurat u kryen siç duhet, por nuk kanë pasur prova të mjaftueshme për të bindur prokurorinë.
Burimi: "Panorama"