
E ftuar në UëTëFë Show në Andale, media që ajo ka themeluar vetë, Dalina Buzi u vendos përballë një prej pyetjeve më “të nxehta” të momentit:
A do të kthehet Andale në një reality show?
Duke marrë shkas nga videot e fundit të publikuara nga “La Villa Drama”, tre materiale që tregojnë prapaskena dramatike mes personazheve të vilës, publiku nuk ka fshehur kureshtjen: mos ndoshta kjo është një hyrje “e butë” drejt një reality show të vërtetë?
Dalina zbulon: “Janë drama që kanë ndodhur vërtet”
“Ky është një reality i bazuar mbi të gjitha të vërtetat e kësaj vile,” tha Dalina pa hezitim. “Janë realisht gjëra që kanë ndodhur dhe disa po ndodhnin në momentin që po filmonim. E vetmja gjë është që, duke qenë se ne jemi akoma ‘të varfër’ – në kuptimin që sapo kemi filluar – nuk kisha vendosur ende kamera në vilë.”
Ajo shtoi se procesi i saj i punës me ekipin ka qenë i kujdesshëm dhe i studiuar:
“Unë kam një proces që filloj t’ju studioj, t’ju analizoj, shoh sa të aftë jeni për ta përballuar këtë rrugëtim. Në 7 muaj, kaq kam pasur mundësi të investoj. Dhe ideja për kamera në vilë ka qenë gjithmonë aty, por nuk isha e sigurt nëse këta do të ishin njerëzit që do vazhdonin me mua.”
A do e bëjë Andale-n si Big Brother? Përgjigjja e prerë: “Jo”
Kur u pyet troç nëse do donte ta kthente Andale-n në një version të Big Brother, Dalina dha një përgjigje që fshiu çdo dyshim:
“Jo. Nuk kam dëshirë të kthej asgjë në Big Brother, sepse këtu nuk jetohet dhe këtu nuk ka skualifikime. Kjo është jeta në prapaskenë e disa njerëzve që realisht janë në luftë, të rinj që rriten profesionalisht, shpirtërisht dhe personalisht.”
Sipas Dalinës, kjo është një pasqyrë reale e asaj që ndodh me të rinjtë e Ballkanit, shpesh të rritur në një mjedis ku “fakeness”, falsiteti, është pjesë e komunikimit, e mënyrës si flasim, si i tregojmë gjërat.
Ajo e përshkroi më pas Andale-n si një projekt kreativ, ku ka vend për zhvillim, për konflikt dhe për bashkëpunim “Jeni të përzgjedhurit e 600 aplikimeve. Ju jeni këtu për një arsye”.
“Më kujton fillimet e Top Channel”
Dalina pranoi se atmosfera në Andale i kujton shumë vitet e para në Top Channel, ku gjithçka ishte ende në ndërtim e sipër, por pasioni dhe gara ishin në maksimum.
“Kur ishim në Top, ziheshim. Jemi shtyrë për montazhin, kameramanët shikonin planet e njëri-tjetrit fshehtas. Ka qenë një garë e tmerrshme, por kishim edhe një kimi të madhe mes nesh, njësoj si ju këtu.”
Pra, nëse po prisnit një “villa show” me eliminime, të shara dhe televotime, Dalina thotë "jo, faleminderit". Por nëse jeni të interesuar të ndiqni prapaskenat reale të rritjes personale dhe profesionale të një grupi të rinjsh të talentuar, me gjithë tensionet, keqkuptimet e emocionet që sjell jeta në një ekip mediatik, Andale është sot projekti më premtues.
Intervista e plotë: