E ftuar tek "Rudina" pasditen e sotme ishte Dalina Buzi, krijuesja dhe producentja ekzekutive e "Hostel by Anabel" dhe serial web-it të parë shqiptar, "Love Likes Tirana", që mbylli dje siparin e sezonit të parë.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të serialit, Dalina tregoi se e gjithë kjo filloi nisur nga ëndrra e saj për kinemanë.
"Kinemanë e kam pasur ëndërr që e vogël, por kam qenë gjithnjë më shumë në ujërat e televizionit. Më pas mendova pse të mos kaloj në një serial të vogël. U ula dhe shkruajta për 2 muaj. Ka qenë një punë shumë e madhe, por ajo periudhë ishte një nga më të bukurat të jetës sime, pasi bëra gjënë që doja më shumë, realizova ëndrrën."
Si serial i parë në YouTube, #Love Likes Tirana ishte risi në të gjithë dimensionet e saj. Nisur që nga titulli, kanali i transmetimit, subjekti, por edhe personazhet, (një pjesë e mirë e të cilëve të panjohur më parë nga publiku).
"Unë jam shumë e kënaqur. Një nga arsyet që e bëra në YouTube është se e kisha për herë të parë këtë lloj eksperience. Unë jam fillestare në këtë gjë. Kam mësuar nga problemet që ka patur dhe fillimisht sigurisht e kisha me frikë. Mendova që do të ishte më mirë në YouTube, aty e shoh se ku çalon dhe ku është mirë. Feedback-u ka qenë shumë i mirë. Njerëzit u lidhën me subjektin, karakteret e personazheve..."- vazhdon Buzi.
Fundi i serialit, ishte surprizë për të gjithë, por si e gjykon skenaristja?
"Zoi ishte në një moment të jetës jo shumë të shëndetshëm për të nisur një histori të re. Gjykova që nuk do të ishte reale që ajo dhe Elio të përfundonin bashkë në atë moment. Ndryshimet e mëdha fillojnë nga vetja jonë. Gjithsesi, unë e di ç'do të ndodhë në vazhdim. Të tjerët nuk e dinë."
Me pak fjalë, "Love Likes Tirana" do të rikthehet sërish me histori të tjera dashurish, përplasje, por edhe personazhe të rinj. Gjithçka që Dalina Buzi zbuloi është se po punon për sezonin e dytë të serialit dhe e sigurtë është që nuk mbaron me kaq!