
Nëse ka diçka për Georgina Rodríguez, është se 31-vjeçarja i adhuron bizhuteritë. Dhe nuk është surprizë që shijet e saj s'janë minimaliste, Georgina *vdes* për diamantë të mëdhenj, me shkëlqim dhe që vjedhin gjithë vëmendjen. Le t'i hedhim një sy koleksionit të saj.
Për një ditë të këndshme në plazh:
Patjetër që zgjedhja e parë për një paradite me fëmijët në plazh do ishte një varëse Lariat Tennis në formë Y-je e mbushur përplot me diamantë.
Vlera totale për një varëse të tillë shkon nga 500 mijë euro deri mbi 900 mijë euro, varësisht cilësisë. Është një bizhuteri ultra-luksoze që zakonisht bëhet me porosi.
Për një trajtim me terapi drite të kuqe:
E dimë që në sy ju ra menjëherë unaza, por duke qenë se Georgina preferon që shumë bizhuteri t'i bëjë me porosi, është e pamundur të gjendet vlera e saj në internet.
Ora që mban në dorë, nga ana tjetër, është një Cartier Baignoire Mini, e rrethuar me diamantë. Nga kërkimi në rrjet, çmimi për një të tillë shkon te 50 mijë euro.
Për një fluturim në avion me familjen:
Vathët në këtë foto, gjigantë, në formë rrethore dhe po, të mbushur me diamantë, eksperti Zack Stone vlerëson të kushtojnë rreth 160 mijë euro.
Për të bërë pazet e muajit:
Nga t'ia nisësh këtu. Unaza e madhe, që duket si një diamant 20 karatësh i rritur në laborator me montim French pavé, mund të kushtojë rreth 40 mijë euro.
Unaza "e vogël" ngjitur me atë gjiganten është një Baguette Diamond Eternity Wedding Ring 14 karatëshe që kushton rreth 8 mijë euro. E shikojmë me përbuzje para gjithë kristaleve të tjera.
Varësja me kryq, me gurë smeraldi dhe e rrethuar nga diamantët, vlerësohet të kushtojë rreth 60 mijë euro.
Ne po plasim nga sikleti, po Georgina shkëlqen në pelushin e saj, i cili gjithashtu duhet të jetë origjinal.
Unazat Giardini Segreti në këtë foto, të dizajnuara nga Pasquale Bruni, janë pjesë e koleksionit të tij të njohur njohur për dizajnin delikat dhe përdorimin e diamanteve të bardha dhe champagne 18 karat.
Vetëm një unazë e tillë shkon deri në 25 mijë euro, tani numërojini vetë sa mban në dorë Georgina.
Ora këtu është një Chopard me vlerë 400 mijë euro që zakonisht Georgina e mban pranë Apple Watch-it të saj, thjesht për t’u siguruar që të mos i shpëtojë numërimi i hapave të përditshëm.
Për Festivalin e Filmit në Venecia:
Çmimi i varëses që ka vendosur Georgina në Venice Film Festival, duke marrë parasysh safirët e mëdhenj natyralë dhe diamantet e cilësisë së lartë nga një dizajner si Pasquale Bruni, mund të jetë nga 300 mijë deri 1 milion euro. Të paktën çmimi justifikohet me pamjen madhështore.
Dhe ëmbëlsira për në fund:
Unaza 37-karatëshe me të cilën Cristiano Ronaldo i propozoi për t'u bërë gruaja e tij. Çmimi vlerësohet të arrijë mbi 4 milionë euro dhe patjetër që përgjigjja e Georgina-s ishte "Siuuuu". Yll e bukur dhe me humor? S'ka faj Ronaldo.
Tani, për të bërë një llogaritje shqip të totalit të çmimeve të koleksionit të Georgina-s: 342 milionë e 898 mijë lekë qëndrojnë të përkthyera në diamante dhe vezullim të përhershëm në trupin e Georgina-s.
Gjithsesi, mos u dëshpëroni shumë dhe na lejoni t'ju kujtomë se para se të njihej me Ronaldo-n, Georgina Rodríguez kishte një jetë të thjeshtë dhe punonte si asistente shitjesh në Gucci në Madrid. Jeta funksionon në mënyra të çuditshme. :)
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.