
Blerina Bombaj nuk ka komplekse. Lexoni çfarë rrëfen ajo për fillimet e saj
Sot ajo konsiderohet një “guru” e të ushqyerit shëndetshëm, por Blerina Bombaj nuk ka asnjë kompleks për të kaluarën e saj. Në faqen e saj personale në Facebook, bashkë-moderatorja e emisionit “E diela Shqiptare” rrëfen se puna e saj e parë ka qënë ajo e kamarieres. Në një foto të postuar të premten (24 shtator) në Facebook ku Blerina shihet në krah të bashkëshortit në një restorant, dietologia e njohur shkruan: “Në lokalin ku kam punuar si kamariere përgjatë gjithë kohës së studimeve të larta në Athinë.”
Komentet që e shoqëruan këtë foto e përgëzonin Blerinën për rrëfimin publik. “Bravo që e thua, të ishte ndonjë tjetër do ishte munduar ta fshihte, se këtu tek ne paragjykohen. Por puna është punë.”-shkruan një lexuese. “Edhe e thua me krenari. Sa i dua këta njerëz modestë dhe jo prepotentë.”-shkruan një tjetër.
Pas ardhjes së saj në Shqipëri, Blerina u fokusua tek ushqimi dhe ishte e para dietologe që solli shërbimin “taksi” të dietës në shtëpitë e klientëve. Kompania e saj “Blerina Diet” u zgjerua nga viti në vit, duke përfshirë edhe një restorant, sera ku mbillen fruta e perime të freskëta pa kimikate të dëmshme dhe kurse për edukimin e fëmijëve me dashurinë për tokën dhe për ushqimin e shëndetshëm. Rubrika e saj: “Ne jemi çfarë hamë” tek “E diela Shqiptare” është një ndër rubrikat më jetëgjata të këtij spektakli në TV Klan. Çdo vit Blerina sjell tematika të ndryshme rreth ushqimit, që nga këshillat praktike, garat e gatimit me njerëz të njohur dhe deri tek reportazhet, ku dietologia ndan traditën shumëngjyrëshe të gatimeve në zona të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e deri tek arbëreshët. Momentalisht, ajo ka nisur këtë sezon të ri të “E diela Shqiptare” me një rubrikë kushtuar kultivimit dhe gatimit të peshkut, të quajtur thjesht: “Për peshk.”
Si të mos mjaftonin të gjithë këto arritje në CV-në e Bombajt, të shtunën (25 shtator) ajo njoftoi në faqen e saj në Facebook se do të rikthehej në universitetin “Harokopio” të Athinës, për studimet master me titullin: “Ushqimet, ushqyerja dhe konsumatori.”
Rrëfimi i Blerinës për fillimet e saj si kamariere është jo vetëm një tregues i arritjeve të saj falë një pune të përditshme, por edhe një frymëzim për të gjithë ata të rinj që shpesh dekurajohen nga fillimet jo shumë të këndshme në jetën profesionale.
