Me të hyrë në familjen Dudaj të krijohet përshtypja se të zotët e shtëpisë i kemi gjetur në punë e sipër duke sistemuar bibliotekën. Por kjo është një rrëmujë e natyrshme për një familje që ka nëntë vjet që prodhon libra pa fund, që ka mbi një mijë tituj të shpërndarë në çdo qoshe, që ka një zonjë shtëpie të apasionuar çmendurisht pas tyre, dhe dy meshkuj të cilët edhe ata e kalojnë kohën duke shfletuar. “Jam e rrëmujshme, por është rrëmujë e bukur, më pëlqen kjo”, shprehet zonja Dudaj teksa na çon në dhomën e saj të gjumit ku librat rrethojnë të gjithë krevatin e saj, nga koka deri tek këmbët.
Tashmë nuk mjafton më salloni, i cili të prezanton që në hyrje natyrshëm me një bibliotekë të mbushur me botime të huaja duke filluar që nga “Kodi i Da Vincit” e deri tek “Xhim kopsa”, (ky i fundit duhet t’i ketë shpëtuar librave për fëmijë të stivuara në dhomën e djalit, Patrikut). Si për të krijuar një ambjent sa më të qetë leximi, salloni është i përfshirë nga ngjyra në ngrohta, që i japin një pamje melankolike. Pak dritë hyn nga dy dritaret në fund të sallonit, ndërkohë që ajo elektrike, thekson edhe më shumë ngjyrën kafe dhe atë të hides, që gjendet në mobilje, dysheme dhe mbulesat e divanit.
Menjëherë në dhomën e ndenjes të bie në sy një tavolinë e ulët mesi e cila mban me dhjetëra libra, që janë vendosur mbi njëri-tjetrin në të gjitha hapësirën, lart dhe poshtë. Përballë saj, si për të ruajtur këtë pasuri, qëndron një armaturë që i kalon përmasat e një ushtari normal. Është një model i armaturave franceze të shekullit të VIII, eksportuar nga Italia, të cilën e zonja e shtëpisë e ka blerë në Shqipëri. E ka pëlqyer sapo e ka parë dhe ashtu sikurse në një muze i ka rezervuar një vend të veçantë; një xhep të rrethuar me një hark me tulla dhe të ndriçuar, duke i dhënë sallonit një pamje klasike. Për këtë kanë ndihmuar harqet me tulla, skrivania me bibliotekën e vjetër në dhomën e punës, dhe dy hapësira rreth divanit ku janë ekspozuar libra në kopertina më të trasha në dizenjo antike, dhe albume të mëdha fotografish që në pamje të parë duken si libra.
Përveç një elefanti që është një dhuratë me origjinë indiane, në tavolinën e mesit nuk lejohen ornamente të tjera pasi ai është vendi ku librat janë servirur si ushqimi më i preferuar i momentit që vjen nga perëndimi. Mbi këtë tavolinë, e cila vite më parë është porositur enkas për të mbajtur sa më shumë libra, është zbrazur së fundmi valixhja e radhës e Arlindës, e cila vinte e mbushur plot nga panairi i Torinos. Botimet e vendosura mbi këtë tryezë ndryshojnë me kohën, duke ndryshuar pa qëllim edhe dekorin e saj. Gjithmonë aty do të gjesh titujt më të fundit dhe të debatuar në fushën ndërkombëtare të letrave. Por vetëm tre janë ato të cilat kanë zënë vend mirë në një xhep të mbuluar me xham.
“The Innocent Man” (John Grisham), “Jeta ime” (Bill Clinton) dhe “Të jetosh kohën” (Rexhina Nano), të cilët i janë dedikuar personalisht nga autorët botueses Dudaj. Së fundi listës së gjatë të librave të huaj në origjinal, stampuar me dedikim të veçantë i është shtuar edhe “Gomorrah” i Roberto Savianos. Vetëm dy hapa nga këndi i rehatshëm i divaneve lëkurë ku e zonja e shtëpisë preferon të kalojë kohën e saj dhe ku ka shfletuar shumicën e qindra titujve që ka në shtëpi, vazhdon dhoma e punës, e ndarë me pjesën tjetër vetëm përmes dy shkallëve të vogla. Pas skrivanisë ku Arlinda punon, e rrethuar edhe ajo me botime të konkurencës kësaj here, qëndron një tjetër bibliotekë në stilin antik e cila ruan botimet e huaja që datojnë që nga vitetet ’50 - ’60.
Megjithëse një sy i ri do të çoroditej nga kjo larmi titujsh në katër gjuhë të ndryshme, dizajne kopertinash, madhësi dhe ngjyra të ndryshme, nëse vëzhgon me kujdes, vë re se librat në këtë sallon janë të grupuar sipas autorëve. Arlinda ka krijuar një sistem të sajin që nuk lejon t’ia prishë askush, as e ëma. “Kam një njeri që më kujdeset për shtëpinë dhe më ndihmon shumë. Është e kujdesshme që gjatë pastrimit të mos ia ndërrojë vendin librave sepse e ka vënë re maninë time. Në formën që i kam, mbaj mend se ku e kam vënë secilin libër. Këtu kujtesa ime është maksimale. Për gjëra të tjera nuk më intereson fare”.
Ndryshe nga çdo zonjë shtëpie, që do të përkujdesej personalisht për të gjitha detajet e arredimit të shtëpisë së saj, Arlinda Dudaj këtë angazhim ja la në dorë 68 | Korrik 2009 Botimet e vendosura mbi këtë tryezë ndryshojnë me kohën. Por vetëm tre janë ato të cilat kanë zënë vend mirë në një xhep të mbuluar me xham.
“The Innocent Man” (John Grisham), “Jeta ime” (Bill Clinton) dhe “Të jetosh kohën” (Rexhina Nano), të cilët i janë dedikuar personalisht nga autorët botueses Dudaj bashkëshortit të saj dhjetë vjet më parë. Ishte viti ’98 kur hynë në këtë apartament në Tiranën e Re dhe menduan ta ndryshonin arkitekturën e zakonshme të një apartamenti tipik shqiptar, duke e transformuar në një sallon të madh që përmban dhomën e ndenjes, atë të punës dhe të ngrënies si dhe dy dhoma gjumi. Sa për mobilimin të zonjës së shtëpisë nuk i interesonin sendet e shtrenjta apo firmato, mjaftonte që të ishte e rrethuar nga libra dhe të krijonin diçka që do t’i rezistonte kohës . Dhe realisht ata kanë dhjetë vjet që nuk kanë ndryshuar asgjë në arredimin e shtëpisë. Janë po ato tre piktura të Nestor Jonuzit, Ziso Kamberit dhe e Gjikondit dhe po ato sende zbukurimi që dominohen nga elefantë.
E vetmja gjë që është shtuar përveç librave janë kornizat e fotografive të familjes të shpërndara ngado. Ndërsa duke ju referuar si “rrangulla” zbukurimeve që shpesh nëpër shtëpi mbushin rafte të tëra, Arlinda shprehet se aq shumë i pëlqen librat sa i duken dekori më i mirë që mund të ekzistojë. “S’besoj të mendojë njeri kështu si unë por me sa duket qenka sëmundje, sëmundje e bukur”.
E në fakt kjo teori vërteton atë që shumë arredues sugjerojnë se kur dekoron përmes librave nuk rrezikon asnjëherë që interieri yt të dalë nga moda. Ndryshe nga zbukurimet e tjera bashkëkohore, librat janë të përjetshëm. Janë një dekor i mirë sepse nuk prishen kurrë dhe ndryshe nga sendet e tjera ato nuk e humbasin kurrë bukurinë dhe krijojnë një ambient të ngrohtë dhe shumë mikpritës. Teksa drejtoresha e Shtëpisë botuese “Dudaj” po mendon për blerjen e saj të madhe të radhës, veprën e plotë të Kadaresë të cilën po nguron ta bëjë të sajën sepse nuk ka vend, familja ka kohë që mendon për një shpërngulje. Apartamenti nuk është më i mjaftueshëm nëse do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm. Në shtëpinë e re, është e sigurt që do të ketë biblioteka gjigande. Dhe po aq e sigurt është se, nëse do të shkojmë sërish t’i vizitojmë, do t’i gjejmë përsëri në rrëmujën më të bukur. Është e pashmangshme kur bëhet fjalë për një bookaholic.