Meshkujt

Elgit Doda dhe hitet që e presin

1 Gusht 2012

Elgit Doda dhe hitet që e presin

“Nën mbikëqyrjen” e Ardit Gjebreas, emër i mjaftueshëm për këdo të ri ambicioz që do t’ia dalë në këtë sektor, Elgiti nuk preferon të bëjë krahasime kur e pyet nëse ai ka zëvendësuar tek Gjebrea Flori Mumajesin. Megjithatë, një gjë është e sigurt: me apo pa krahasime, Elgiti duket emri premtues i së ardhmes në kompozim, për muzikën “e lehtë” apo “pop” vendase.  

Elgit, emër ndryshe? Cila është historia? 
Thjesht një dëshirë e prindërve. Nëse do të ishte vajzë, do të quhej Elgita, në të kundërt Elgit. 

Je një emër i ri në muzikën shqiptare gjithsesi. Si nisi? 
Lidhja me muzikën vjen nga familja ime, nga fisi. Të gjithë xhaxhallarët e mi merren me muzikë. Ndërsa babi, edhe pse një adhurues i muzikës, si dhe muzikant amator, nuk mundi të shkollohej profesionalisht, për shkak të pamundësisë së kohës. Unë sot jam trashëgimtari i këtij gjeni (qesh). Studioj në Akademinë e Arteve për dirigjim, në vitin e tretë. 

Çfarë mendojnë sot prindërit e tu për suksesin tënd? 
Mami dëgjon gjithë ditën në YouTube këngët e “çunit”. (Qesh). 

Pse të quajnë një emër premtues në fushën e kompozimit? Mbase për shkak të një bashkëpunimi të ngushtë që ke me Ardit Gjebrean? 
Nuk e vlerësoj dot tek vetja këtë fakt, është shumë e vështirë. Por këngët që kam realizuar deri tani kanë rezultuar të suksesshme. Mbase është kjo. 

Cilat këngë? 
Ajo që më afirmoi më shumë ishte “Kënga Magjike” e vitit 2011, ku kisha katër këngë të performuara nga Klevis Saliaj, Adelina Tahiri, Seldi dhe Ronela Hajati. Dy nga këto këngë shkuan në finale, ndërsa dy të tjerat në gjysmëfinale. Por për mua kishte mjaft rëndësi, pasi ishte hera ime e parë në “Këngën magjike”. U morën çmime dhe m’u përmend emri nga Ardit Gjebrea.

Kënga e Ronelës u bë hit në fakt…
Po, e vërtetë. Ishte një stil krejt i ri ose më saktë tentuam të prezantojmë një këngë në origjinalen e muzikës rege. Madje edhe e quajtën të kopjuar, por siguroj që është punuar që nga nota e parë e deri në të fundit nën kompozimin tim. 

A është e domosdoshme për një artist të ri të bashkëpunojë me emra të njohur, në mënyrë që të hyjë në tregun muzikor? 
Pa diskutim, kështu funksionon kudo. Arditi është “dikushi” në skenën e muzikës shqiptare, ndaj jo vetëm për mua, po për çdo kompozitor të ri është një rast i artë të bashkëpunojë me të dhe të marrë këshilla. Ka zëra që thonë se ke zëvendësuar dyshen Ardit Gjebrea – Flori Mumajesi. 

E vërtetë? 
Ambicia është të kem vendin tim, jo të dikujt tjetër. 

Nuk do të bësh krahasime? 
Jo, nuk më pëlqen. 

Tani po përgatitesh për “Këngën magjike 2012”, apo jo? Do të kemi surpriza? 
Po, kam disa këngë me të cilat po punoj. Uroj të rezultojnë të suksesshme. Deri tani kam të konfirmuar një këngë me Rezarta Shkurtën. 

Cila është rryma që preferon të kompozosh? 
Të gjitha, përveç tallavasë. 

Pse jo tallava? Ajo shet. 
Nuk është muzikë që na ka hije. Muzika popullore është popullore, nuk është tallava. Mua më pëlqen që artistët shqiptarë të ecin me hapin e kolegëve ndërkombëtarë, të eksperimentojmë me ato rryma që jashtë “bëjnë namin”. 

Ke zgjedhur të studiosh për dirigjim. Pse? 
Nga të gjitha degët e muzikës, dirigjimi është ndër më të vështirit. Nuk është aspak i lehtë, pasi ke një përgjegjësi të madhe. Është e vërtetë që në Shqipëri vlerësohet pak dhe ka treg të vogël. 

Mua më vjen në mendje vetëm Zhani Ciko… 
Nuk është vetëm ai (qesh). Por më vjen keq që shkolla ku unë studioj quhet Akademia e Arteve. 

Pse? 
Sepse asnjë nuk vlerësohet me sistemin e meritës. Nuk ka hapësira për të rinjtë, profesorët dalin në pension 85 vjeç; nuk i hapin rrugë talenteve të reja. 

Tregu i muzikës shqiptare është ende kaotik për ty? 
Po, shumë. Të etur për paratë, kushdo bën, kompozon apo këndon çdo lloj muzike, nga ajo që nuk ka as emër e as gjini. 

Ka muzikantë shqiptarë që të kanë frymëzuar? 
Po, është Ardit Gjebrea. Që kur kam qenë i vogël, me “Jon”, ai është ngulur në mendjen time. Kam qenë një adhurues i tij që në vegjëli, një artist me vlera. 

Po muzikantë të huaj? Afrojack, Timbaland, apo David Guetta. 
Emra, të cilëve duhet të përpiqemi sadopak t’i ngjajmë dhe ne në muzikën që bëjmë. 

Ku e sheh veten në të ardhmen? 
Të kompozoj për këngëtarët amerikanë. 

Duket si “ëndërr në sirtar”? 
E kam ëndërr. Mbase nuk bëhet kurrë realitet. Është e guximshme. 

Nuk të vjen keq që meritat e një kënge të bukur i merr këngëtari dhe jo kompozitori? 
Kjo ndodh sepse këngëtarët janë “yjet”. Gjithsesi nuk më vjen aspak keq. Kompozitorët bëhen të famshëm po aq sa këngëtarët, vetëm se këta të fundit performojnë në skenë e si të tillë fitojnë popullaritet. Mua më pëlqen të bëj kompozitorin, kjo ka rëndësi. 

Çfarë e frymëzon një krijues këngësh? 
Kur dëgjon diçka të bukur, melodi apo poezi frymëzohesh. Gjithçka që për një artist është e bukur të bën të krijosh. Nuk kompozon dot kur je i mërzitur, bosh. 

Të frymëzojnë femrat? 
Thashë, çdo gjë e bukur. Edhe femrat. 

Çfarë e bën një femër të bukur për ty? 
Karakteri, pjekuria dhe bukuria. 

Por që e kalove në plan të tretë këtë të fundit… 
Karakteri ka rëndësi. 

Po të qenit joshëse? 
Buzëqeshja. Një element që mendoj se josh dhe tërheq cilindo mashkull tek një femër. 

A ka ndonjë këngëtar shqiptar, për të cilin do të doje një ditë të kompozoje? 
Po, për Inva Mulën. 

Pse ndahen këngët në “këngë vere” e “këngë dimri”? 
Janë si puna e veshjes edhe këngët. Është ajo çka kërkon tregu, publiku. Baladat nuk mund të kenë të njëjtin sukses si në dimër, dhe në verë. 

Cila ka qenë për ty një nga këngët më të suksesshme të muzikës shqiptare në këto 20 vite? 
“Makina e memories” e Gjebreas. Është një këngë që nuk të lodh asnjëherë sa herë e dëgjon. 

Po më e shëmtuara? Ajo që të acaron nervat? 
“Çanake”. 

(Qesh) Dr. Flori… 
Thashë kënga. Nuk hyn aspak në shijet e mia. Mbase ka edhe këngë të miat që të tjerëve nuk u pëlqejnë. 

Me çfarë ngjyre e sheh jetën tënde profesionale sot? 
Jam pak larg të kuqes, por po i afrohem. 

Je vetëm 23 vjeç dhe shumë ambicioz… 
Epo, pa ambicie, çfarë kuptimi ka jeta? 

Do të shkosh larg? 
Po, por jo në majë. Nuk më pëlqen të kap majën. Është e rrezikshme!

MOS I HUMBISNI