TV Mania

Tea flet për skandalin e Për’Puthen: ‘Produksioni e dinte; fotot i publikuam vetë’

Shkruar nga Anabel

1 Shkurt 2021

Tea flet për skandalin e Për’Puthen: ‘Produksioni e dinte;

Përpara se të fillosh, një pyetje. Pse e quani skandal? Po thua që nuk është? Një emision me miliona klikime ku rezulton se produksioni dhe/ose konkurrentët kanë mashtruar, a nuk është skandal?!

Çështje pritshmërish. Çështje këndvështrimi, por vazhdo. Përmes një videoje në YouTube, Tea reagoi (sërish) për të sqaruar atë që e quan “e vërteta” e saj.

Aa, kaluam nga Instagrami me 500,000 followers në YouTube tashmë. Pse jo? Sidoqoftë, po thoja se përmes videos ajo shprehet se një pjesë e produksionit ka qenë në dijeni të lidhjes me Beartin, autorja e programit, Olsa Muhameti, gjithashtu ka qenë në dijeni.

Po Arjani? Arjani jo.

U qetësova tani! Çfarë tha, më konkretisht. “Meritoni të gjithë një shpjegim dhe një të vërtetë dhe bëhet fjalë për atë të vërtetë që ka qarkulluar këto kohë në rrjet. Po, unë kam qenë dhe vazhdoj të jem në një lidhje me Beartin, por jo, nuk e kam tradhtuar Andin. Unë dhe Andi kemi vazhduar të qëndrojmë në atë shfaqje sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe për këtë mbajmë përgjegjësi. Mbajmë përgjegjësi përpara publikut që na ka mbështetur dhe na ka dashur.”

Në ç’formë mbajnë përgjegjësi? Nuk e specifikoi. Më pas vazhdoi duke thënë, “Edhe ju kërkoj falje. Ju kërkoj shumë ndjesë. Sa e vështirë është që të gjesh fjalët e duhura dhe të shprehësh gjithçka që ke në kokë”.

Ma merr mendja. Prandaj edhe u deshën kaq muaj që të flisnin, apo jo? Ndoshta. Në vijim shtoi: “Historia ime me Beartin ka nisur gjatë atij takimit në Për’Puthen ku na është ngjallur një interes për njëri-tjetrin, i pashpjegueshëm. Kemi filluar të komunikojmë pasi ai është larguar nga emisioni”.

Po shumë mirë, pse nuk u largua dhe Tea? Nuk e tha. “Në mes të nëntorit unë vendos të marr një udhëtim në Kosovë. Dhe për këtë, produksioni ka qenë në dijeni. Pra, për komunikimin dhe udhëtimin tim. Një pjesë e produksionit ka qenë në dijeni. Olsa në fakt ka qenë në dijeni. Arjani jo. Produksioni  ka qenë në dijeni, ka qenë i informuar prej meje. Pas kësaj nuk dija si të veproja.”

Të dilte ndoshta? E drejtë, por tha se kishte frikën e kontratave. “Ndjeja një përgjegjësi morale, përgjegjësi ligjore dhe sigurisht edhe respekt dhe vazhdoj të kem respekt ndaj produksionit.”

Po me 500K ndjekësit? S’ka kontratë me ata.

Por ka respekt. Patjetër, prandaj treguan të vërtetën.

Për të vërtetën pas kaq shumë kohësh e ke fjalën? Tani e ndjenë, tani e bënë. Sidoqoftë, u shpreh: “Unë dhe Andi, të dy nuk dinim si të vepronim dhe ndenjëm dhe pritëm sepse për njerëz që kishin dashur të largoheshin nga emisioni ose ishin larguar, ishte përmendur ndjekja ligjore. Ishte përmendur gjyqi, ishin përmendur gjobat. Kjo na bëri që ne të mos kishim kurajo të merrnim vendimet tona personale. Kështu që kalonin ditët, kalonin javët.”

Dhe muajt. Po, edhe muajt. Në vijim tha se “prisnim të na largonin nga emisioni. Dilnim në takime inercie. Nuk dinim se çfarë të flisnim me njëri-tjetrin. Shpesh pyesnim gazetarët të na jepnin ndonjë ide, ndonjë temë”.

Ideja e gazetarëve ishte që Andi ta quante Tean “nuse” mbi 10 herë, në çdo emision. Nuk di ç’të them. Ndoshta.

Ndjekësit e saj i përmendi? Sigurisht. “Harruam një gjë shumë të rëndësishme. Ndoshta prej moshës, ndoshta prej mungesës së informacionit se si mund të veprosh në situata të tilla. Ndoshta prej të gjendurit vetëm. Harruam që po ju gënjenim juve. Harruam që po gënjenim një popull të tërë.”

Një popull të tërë?! Mos e dramatizo tani. E tha Tea, jo unë.

Qartë, qartë! Gjë tjetër tha? Po. “Unë dhe Andi kemi dashur të largohemi që prej mesit të dhjetorit, ose ndoshta pak më herët. Kemi dashur që të dalim dhe të vazhdojmë jetët tona si dy miq shumë të mirë që jemi. Gjithsesi u zgjat deri në fund të janarit dhe ne vendosëm që të mos ishim më pjesë e kësaj loje, megjithëse na u sugjerua që të vazhdonim edhe pas përfundimit të emisionit. Nuk po na e mbante më shpirti. Unë ndihesha si e burgosur që nuk isha dënuar. Dhe erdhi një pikë kur unë vendosa që të jemi të sinqertë me publikun, që jetoi me ne gjatë muajve të emisionit. Kështu që i publikuam ne ato fotot selfie me Beartin, me qëllim sepse pavarësisht reagimit që do merrnim, ofendimeve, kërcënimeve edhe për hir të sinqeritetit ndaj publikut, jemi duke u dënuar publikisht.”

Në ç’formë janë dënuar? Sepse kanë marrë me qindra e mijëra followers pas skandalit në fakt. Po komentet nuk i ke lexuar. Ka dy anë medalja.

Aaa, ok. Po komentet në YouTube ç’thonë? Pak fjalë të mira. Përmendin reklamat dhe giveaway-t, viktimizimin, faktin që kanë aktruar dhe tani s’i beson më askush.