KORONAVIRUS

Brenda qendrës së vaksinimit anti-Covid, ‘Air Albania’: Si do ndodhë procedura

Shkruar nga Anabel

6 Janar 2021

Brenda qendrës së vaksinimit anti-Covid, ‘Air Albania’: Si

Ekspertët e shëndetit publik së bashku me profesionistë të tjerë kanë nisur punën për krijimin e qendrave të vaksnimit.

Qendra e parë e vaksinimit anti-Covid është ajo e krijuar në stadiumin “Air Albania”.

Si do bëhet vaksinimi në këtë qendër, në mënyrë që të mos krijohen radhë dhe a ka personel të mjaftueshëm?

Shefja e sektorit të vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, Erida Nelaj, në një intervistë për Wake Up thotë se për momentin ka 20 vende (postacione) vaksinimi dhe se ka personel të mjaftueshëm.

“Është vetëm fillimi, pasi do jenë 60 vende ku do të kryhet vaksinimi. Çdo vend do ketë dy infermierë. Një infermier që do realizojë vaksinimin dhe një infermier, që quhet “infermier mbështetës”, i cili do ndihmojë për dokumentimin, procedurën dhe për të parë sasinë e vaksinës, sepse kjo është një vaksinë që e ka sasinë 0.3 cc në shiringë, pra shumë pak.”

Znj. Nelaj shton:

“Përpara se personi të vijë për vaksinim ka një formular që do plotësojë dhe lidhet me statusin e tij shëndetësor, nëse vuan nga ndonjë sëmundje kronike, nëse ka ndonjë alergji etj. Përveç infermierëve, të gjithë do kalojnë fillimisht te një mjek, para se të vaksinohen.”

Procesi i vaksinimit, do të nisë fillimisht me personelin shëndetësor dhe kryesisht, ata të vijës së parë. Edhe personeli ka formularin e vet, që i jepet paraprakisht ose që në hyrje.

“Edhe përpara kësaj, ka një koordinator. Për çdo 2-3 vende vaksinimi ka një koordinator, i cili i organizon njerëzit. Çdo vend ka numrin e vet përkatës dhe koordinatori do t’i orientojë personat, sipas këtyre numrave.”

Ndërkohë, në një zonë tjetër, larg vendit të vaksinimit, do qëndrojnë për 15-30 minuta të gjithë njerëzit pasi bëjnë vaksinën.

“Pasi bëhet çdo lloj vaksine, rregulli është që të qëndrohet rreth 20 minuta , thjesht për të kontrolluar nëse do ketë ndonjë efekt anësor. Kjo procedurë, si rregull, duhet të ndiqet me çdo vaksinë, jo vetëm me këtë kundër Covid.”

Për alergjitë bëhet që në fillim një lloj kontrolli. Ndërkohë, duke marrë parasysh se në fillim do vaksinohen personat me sëmundje kronike apo sëmundje shoqëruese, bëhet dhe më e rëndësishme të qëndrohet pas vaksinimit.

“Për monitorimin pas procesit të vaksinimit do të ketë mjekë, ambulancë dhe çdo gjë, por nuk besoj se do ketë probleme, duke marrë parasysh se nuk ka patur probleme në asnjë rast që janë bërë vaksinat edhe jashtë vendit.”

Sa i përket procesit të vaksinimit, Erida Nelaj tha se “po bëhen trajnime online dhe do të bëhet dhe trajnimi fizik”.

Pas Tiranës, do ketë dhe dy qendra të tjera vaksinimi në Vlorë dhe Shkodër.

MOS I HUMBISNI