Sikurse u tha pritet që të hënën, më 15 qershor, do të rinisë shërbimi i transportit urban dhe ndërurban, sipas një protokolli të miratuar nga autoritetet shëndetësore. Ky vendim, duket se nuk do të vihet në zbatim nëse qeveria nuk plotëson 4 kushtet e panegociueshme të operatorëve.
Transporti urban publik në të gjithë vendin nuk do ta rinisë punën më 15 qershor, nëse më parë nuk plotësohen kërkesat e vendosura nga përfaqësuesit e shoqatave të transportit.
Në një artikull të publikuar në Monitor.al, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, Ndërqytetas dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, si dhe Shoqata Urbane dhe Interurbane Veri, në një letër drejtuar kryeministrit Rama dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, i kanë listuar pikat kryesore që duhet të ndryshojnë, me kusht rikthimin e tyre në punë më 15 qershor.
Përfaqësuesit e transportit publik kërkojnë:
1- Heqjen e akcizës
2- Zbritjen e TVSH-së në shitje
3- Rimburësim për reduktim të kapacitetit
4- Rimburësim për kategoritë që e përfitojnë falas shërbimin
Operatorët e transportit refuzojnë të rinisin punën nëse kërkesat më sipër nuk plotësohen. Sot, në orën 10:00 pritet të zhvillohet një tjetër protestë në kuadër të kërkesave që shqetësojnë këtë sektor. Pak ditë më parë, qeveria njoftoi se urbanët do të nisin punën ditën e hënë me 70% të kapacitetit të lejuar dhe me një protokoll sigurie të miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

