Shqipëria

Përdhunimi i 15-vjeçares: UNICEF dhe UN Women reagojnë ndaj qeverisë, medias dhe shoqërisë

Shkruar nga Anabel

2 Qershor 2020

Përdhunimi i 15-vjeçares: UNICEF dhe UN Women reagojnë ndaj

Në një reagim të përbashkët, UNICEF Albania dhe UN Women e cilësojnë krimin e rëndë ndaj të miturës 15-vjeçare, që u përdhunua nga roja i shkollës dhe tre të rinj të tjerë, si “një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë.”

Shënim: UN Women – Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të grave. UNICEF – Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, agjenci përgjegjëse për sigurimin e ndihmave humanitare dhe programeve zhvilluese për fëmijët në botë.

Në deklaratë, UN Women dhe UNICEF i drejtohen organeve të qeverisë:

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve që të hetojnë krimet e tilla, duke vendosur një kulturë me tolerancë zero ndaj ngacmimit dhe abuzimit seksual. Gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë.”

Përpos kësaj, në vëmendje vendoset edhe trajtimi mediatik i rasteve të tilla:

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale dhe media duhet të përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat, jo autorët e krimit.”

Përsa i përket shoqërisë, theksohet:

“Kryesisht i bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë që të mos u kthejë shpinën atyre që u prekën nga kjo dhunë, të mos i fajësojë ata dhe të reagojë kundër abuzimit. Nuk ka justifikim dhe tolerancë ndaj përdhunimit!”

MOS I HUMBISNI