Në një intervistë për emisionin “Rreze dielli” në Report Tv, Jonida Maliqi foli për herë të parë për videon me Flori Mumajesin, e cila bëri xhiron e rrjetit pak ditë më parë.
“Dua të jem e drejtpërdrejtë, ashtu siç kam qenë gjithnjë. E di që ti ke fansat e tu, siç ka çdo personazh publik, ke edhe haters, njerëz që kanë një lloj antipatie, qoftë edhe nga ekrani në momentin që nuk të njohin personalisht. Ajo që më vjen më së shumti keq është që ne po kultivojmë gjëra jo fort të bukura, aspak të moralshme, aspak njerëzore dhe ndonjëherë i kalojmë limitet e privatësisë. E për këtë, e ka fajin vetëm media. [Duhet] të dijë të ketë një barazpeshë mes individit, mes karrierës, mes personales."
Në vijim, këngëtarja u shpreh se është një “femër beqare”, duke konfirmuar kështu ndarjen nga Romeo Veshaj, e cila u përfol menjëherë pas publikimit të videos. Ndër të tjera, ajo konfirmoi edhe romancën me Mumajesin dy vite më parë.
“Megjithatë unë e kuptova shumë mirë se ku po rreh; nuk do të doja të zija asnjë emër. Jam një femër beqare, jam një femër që kur dua, dua fort dhe nuk kam turp ta shfaq atë. Jam një femër që kam moral mbi të gjitha dhe dua të jem diskrete, ndaj vendos shumë herë të largohem nga ky vend. Sepse këtu të mungon qetësia, të mungon privatësia, njerëzit nuk hezitojnë që në ambiente publike të të xhirojnë me telefon dhe i dërgojnë në redaksi të ndryshme. Nuk e kuptoj dot se çfarë ka të jashtëzakonshme, sepse e kuptoj nëse bën një gjë të turpshme ose të shëmtuar. Por në fund fare këta njerëzit nuk marrin as para, mbushin shpirtrat e tyre bosh. Për çfarë? Për një lajm?”
Ajo e pëfundon deklaratën duke thënë se “i vjen keq që njerëzit arkivojnë video” dhe i ruajnë për t’i prishur karrierën.
“Mendoj që meqë viti 2019 ishte një ndër vitet e mia më të mira, duhet patjetër të ndodhte diçka e keqe. Është balanca, energjia e mirë me të keqen duhet të përputhen, ndryshe nuk ka si të shkojë. Ajo që më vret më shumë është se këta njerëzit e sëmurë që arkivojnë gjëra këtu e gati dy vjet më parë; i ruajnë dhe pikërisht në momentin më kulminant të suksesit tim i përdorin. Zoti ua ktheftë. Kaq.”
Duket se Maliqi e di shumë mirë se kush është personi që qëndron pas videos. Sipas burimeve të Anabel.al, videoja është shpërndarë nga një ish-mikeshë e Jonidës, e cila e shoqëronte në Paris dhe ecte prapa saj.