Anabel Picks

Vlashent Sata: Aksesori më i mirë për një mashkull? Karakteri!

1 Nëntor 2011

Vlashent Sata: Aksesori më i mirë për një mashkull?

Në një intervistë të sinqertë, Vlashent Sata rrëfen sesi stili te një mashkull, i ndërthurur me karakterin, mund të krijojnë mashkullin ideal.

Veshja jote për në Shqipëri mund të quhet “ekstravagante” ngaqë përdor shumë ngjyra. Si konsiderohet në Paris kjo veshje?
Mendoj që ngjyrat janë të bukura kur janë të përdorura bukur, siç bën një piktor mbi telajo! Në qoftë se veshja ime në Shqipëri quhet ekstravagante ngaqë përdor ngjyra, atëherë mund të them se më pëlqejnë ngjyrat “ekstravagante” të Manet,Van Gogh, Renoir! Në Paris veshja “ekstravagante” është në një stad tjetër: përzierje stilesh në të njëjtën veshjeje, përdorimi i aksesorëve në madhësi të ndryshme etj. Veshja ime në Paris emërtohet më tepër “stil mesdhetar”.

A ka ndryshuar stili yt i të veshurit në Francë?
Stili im nga Shqipëria në Francë ka ndryshuar disi, sepse më ka ndryshuar edhe mosha. Isha akoma adoleshent kur jeta ime ishte kryesisht vetëm në Tiranë dhe më pëlqente shumë e zeza asaj kohe; të kisha kitarën mbi sup, flokët e gjata të kapura... Në Paris më mungonte dielli në buzëqeshjet e njerëzve dhe mbi çatitë e pallateve e kështu më pëlqente ta kompensoja me ngjyrat që nisa t’i përdor në veshje.

Preferon me shumë Etro apo Desigual?
Për sa u përket veshjeve sportive, ndoshta do të vishja diçka Desigual, por preferoj më tepër shijen dhe detajet e veshjeve Etro. Më duken më personale dhe më të veçanta në stil!

Kush mendon se është personazhi shqiptar që ka bërë revolucion në veshje?
Sinqerisht, personazhi shqiptar që ka bërë një revolucion të vërtetë në shije, stil e gjetje të personalizuar për sa i përket veshjeve, është Mr. Niko Komani dhe e them sinqerisht dhe seriozisht! 

Ke bërë ndonjë gabim në veshjet e skenës?
Ndoshta kam bërë disa, nuk i di të gjitha, por një periudhë e kisha shumë për zemër që të mbaja gjithmonë një shall pranveror kur dilja në skenë, kjo gjë sepse fillimisht më ndikonte në stil edhe zhanri i muzikës xhaz. Ndoshta ky ka qenë një gabim. Stili i këngëve të tua është romantik e me siguri i tillë je edhe ti dhe kjo gjë vajzave iu pëlqen shumë.

Po ty ç’lloj vajze të pëlqen?
Mendoj se vajza tipike e “ëndrrës sime” do të ishte një njeri i thjeshtë dhe e veçantë, me sytë plot me jetë, me ëndrra plot, me zemër fëmije e me forcën për t’ia dalë vetë në jetë. Me pak fjalë, njeriu i përsosur!

Sipas teje, çfarë duhet të veshë një mashkull në takimin e parë, që të mos rrezikojë?
Veshja është një personifikim i karakterit. Kështu, që të mos dështojë në takimin e parë e as në takimet e tjera, për mendimin tim, duhet të jetë vetvetja e në qoftë se veshja, e cila reflekton karakterin e tij, do t’i pëlqejë vajzës, atëherë do të ketë patjetër një takim të dytë! Unë personalisht do t’i sugjeroja t’i bënte një dhuratë të vogël e të këndshme vajzës që do të takonte! Ndonjëherë, të mendosh për të tjerët, është frytdhënëse dhe pasuri për vete.

Cili është aksesori që nuk duhet t’i mungojë asnjë mashkulli?
Njëherë, një shoqe, duke qeshur, më ka thënë: “portofoli”! (Qesh). Por unë mendoj që është mirë që njeriu duhet të jetë zemërgjerë dhe bujar. Për sa i takon një aksesori, mendoj se rozariot për meshkujt janë ideale, nëse janë të thjeshta. Nga ana tjetër, jam i sigurt që “aksesori” më i rëndësishëm tek një mashkull është karakteri.

Cili është sugjerimi yt i fundit për revistën “Anabel”?
Ndoshta të kishte pak më shumë hapësirë e publicitet për modën dhe veshjet për meshkujt, ku të përfshiheshin të gjitha shtresat,që edhe njerëzit me buxhet modest të mund të përfitonin!

MOS I HUMBISNI