KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Shqipëria

Zbardhet dëshmia e parë e Alvinit: ‘Më mësonin të luftoja’

Shkruar nga Anabel

8 Nëntor 2019

“Më mësonin të luftoja. Më gjuanin dhe më ulërisnin se duhet të bëhem ushtar. Më detyronin të flisja vetëm në arabisht.”

Rrëfimi i Alvin Berishës, që sapo u shpëtua nga kampi al-Hol në verilindje të Sirisë, është absolutisht dramatik. Djaloshi mbërriti në aeroportin e Fiumicinos sot në mëngjes. Ai u shpëtua falë bashkëpunimit të Criminalpol, karabinierëve të Ros (që punonin prej vitesh me Prokurorinë e Milanos për të nxjerrë minorenin nga kampi), funksionarëve të shtetit shqiptar, Kryqit të Kuq dhe Gjysmë të Hënës së Kuqe.

Edhe pse ishte gjashtë vjeç kur nëna e tij, Valbona e mori me vete në Siri për t’iu bashkuar luftëtarëve të Kalifatit, Alvini nuk mban mend asnjë fjalë në italisht. Ia kishin ndaluar të fliste italisht teksa trajnohej për të luftuar. Madje, i kishin ndryshuar edhe emrin: militantët e quanin Yusuf.

Mbante mend vetëm pak shqip dhe kështu komunikoi me babain e tij, Afrimin, që e priste në Itali. “Më ka marrë malli për babin,” u tha Alvin njerëzve që e shoqëruan nga kampi drejt Damaskut e Bejrutit.

Jeta në shkretëtirë nuk qe e lehtë për Alvin. Ai pësoi një dëmtim në thembër, që me shumë mundësi kërkon ndërhyrje kirurgjikale. 11-vjeçari u plagos gjatë bombardimit që la pa jetë nënën e tij dhe fëmijë të tjerë në kamp. “Mami vishej si ninxha,” tha Alvin në telefonatën e fundit me të atin, në nëntor të 2014-s.

Francesco Rocca, president Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq falenderoi “gjithë ata që u përfshinë në kthimin e sigurt të Alvinit në shtëpi, sidomos Gjysmë Hënën e Kuqe siriane dhe presidentin e saj, Khaled Hboubati.” Ai shtoi: “Ky është një lajm i mirë, por është një pikë shprese në një oqean vuajtjeje. Kërkojmë që shtetet e të pranishmëve në kamp të interesohen dhe të ndërhyjnë sa më shpejt.”

Sipas autoriteteve, në kampe gjenden rreth 100 mijë persona, ku 68 mijë strehohen në al-Hol. Nga këta, 28 mijë janë fëmijë nga 60 vende të botës.

Përshtatur nga La Stampa

MOS I HUMBISNI