Dje, mjekrat e të gjithë lexuesve tanë prekën tokën nga habia se si Young Zerka u përgjigj pa të keq kur u pyet cila këngëtare shqiptare s’e meriton famën që ka. Jo vetëm që u përgjigj, por qëlloi me bojë foton e Samanta Karavellës, që e bën gjithë gjënë edhe më dramatike.
View this post on Instagram
Siç i ka hije një figure publike, Samanta u përgjigj në Instagram. Tha vetëm dy fjali, por që e bëjnë dëmin. Nën videon ku Zerka nënkupton se Samanta kot që është e famshme, ajo shkruan: “O Koçi, s’të shkojnë armët ty! Karaoket i bëje më mirë dikur në koncertet e mia...” dhe “Eh pra, pas një buri (pa rr) të suksesshëm fshihet një grua si e jotja!!!”
Zerkës iu deshën dy plumba boje të qëllonte Samantën, por asaj iu desh vetëm një që të gjuante edhe Zerkën, edhe Ronelën – që sipas të njëjtit segment në “Shiko kush luan” është shpirti binjak i reperit. Pra, tha që Zerka është aq i dështuar sa s’i shkojnë armët, bënte dikur karaoke në koncertet e saj dhe është burë dhe jo burrë. Dhe për më tepër, meritat për burin që është sot i takojnë Ronela Hajatit, që aspak rastësisht, dikur ka qenë shoqe e mirë e Samantës. E vini re rrjetën e merimangës që po formohet këtu?
“Jo se nuk e meriton, por unë duhet të gjuaja dikë këtu dhe ajo m’u duk më e arsyeshme për t’u gjuajtur. Ta gëzojë,” thotë moskokëçarës Zerka kur qëllon mbi Samantën, a thua se kjo e zbut situatën.
Që të kuptoni pse po bëhet kaq e madhe, duhet të dini se pari se Ronela dhe Samanta kanë qenë goxha shoqe. Aq sa kërcenin rrugëve të Parisit bashkë.
Andej nga 2015-a, Ronela tha se Samanta e kishte zhgënjyer dhe se nuk ishin më shoqe bashkë sepse “Samanta ishte shumë e mirë për të.” Ndërsa vjet, Samanta tha se vendosi të nisë një kapitull të ri në jetën e saj. “Unë ose të dua ose për mua nuk ekziston më. Më pëlqejnë miqësitë e pastra,” u shpreh ajo më qartë se kurrë.
Nga ana tjetër, Ronela përflitet se është e lidhur me Young Zerkën prej më shumë se katër vitesh, kështu që dita që ajo të përfshihet në këtë zënkë publike s’duhet të jetë e largët.