Shqipëria

Arrestohet pedagogu që kërkoi favore seksuale: Sa pritet të dënohet?

Shkruar nga Anabel

18 Shtator 2019

Arrestohet pedagogu që kërkoi favore seksuale: Sa pritet të

Pas publikimit të rastit në emisionin “Stop”, pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Denis Himçi, është arrestuar nga policia, pasi i kërkoi favore seksuale një studenteje në këmbim të marrjes së provimeve. Universiteti njoftoi se ka pezulluar nga detyra Himçin, vendim që do të qëndrojë kështu deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas njoftimit të policisë, mbi pedagogun rëndojnë akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Referuar Kodit Penal, për shkeljen e parë thuhet se “kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike[...]” dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vite dhe me gjobë nga pesëqind deri në dy milionë lekë.

Përsa i përket korrupsionit pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, thuhet se “kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt[...]” dënohet me burgim nga dy deri në tetë vite.

Sipas një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” është një ndër universitetet më problematikë përsa i përket rasteve të kërkimit të favoreve seksuale.

“Prezenca e formave të ndryshme të korrupsionit aktiv/pasiv nga studentët dhe pedagogët apo forma të ndryshme të shpërdorimit të detyrës, të lidhura kryesisht për kalimin me sukses të provimeve (shuma që variojnë nga 100-700 euro), kërkimin e favoreve seksuale nga pedagogët burra karshi studenteve vajza, pabarazi dhe favorizime në notë për shkak të lidhjeve shoqërore dhe familjare me pedagogët apo për shkak të ndikimeve të paligjshme dhe korruptive nga stafi administrativ,” shkruhet në një pjesë të raportit mbi problematikat kryesore në universitet.

Raste të pedagogëve që kërkojnë favore seksuale përmenden vazhdimisht nëpër forumet e rrjetet sociale të studentëve, por mungojnë provat dhe videot. Nisur nga kjo, thuhet se studentët që do të denoncojnë me fakte profesorët abuzues, do të përfitojnë bursa.

Mund të lexoni edhe: Provimet në universitet: Pedagogu i kërkon favore seksuale studentes

MOS I HUMBISNI