KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Fashion News

Njihuni me modelen e parë transgjinore të Victoria’s Secret

Shkruar nga Anabel

5 Gusht 2019

Kjo është Valentina Sampaio dhe është modelja e parë transgjinore që do të bëhet pjesë e Victoria’s Secret. Ndonëse Victoria’s Secret dhe kompania mëmë L Brands nuk kanë komentuar ende për vërtetësinë e këtij lajmi, postimet e modeles në Instagram – ku shkruan se është pjesë e setit fotografik të linjës PINK të Victoria’s Secret – të bëjnë të mendosh se Sampaio është modelja e parë transgjinore që pranohet.

“Jam e sigurit që ata po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të sjellë shfaqjen, e cila është shfaqja më e mirë në botë,” tha ajo për Daily Telegraph në Australi referuar anullimit të sfilatës së përvitshme të Victoria’s Secret.

Valentina ka lindur në Aquiraz, Ceará, një fshat peshkatarësh në Brazil. Modelja ka qenë në kopertinën e Vogue dhe është imazh i L'Oréal. Ajo lindi e seksit mashkull, por kur ishte tetë vjeç psikologët e përcaktuan si transgjinore. Në moshën dhjetë vjeçare, mori emrin Valentina.

Pjesëmarrja e saj në fushatat e Victoria’s Secret është një hap përpara jo vetëm në karrierën e modeles, por edhe të kompanisë, që së fundmi është kritikuar ashpër në lidhje me mungesën e diversitetit.

Edward Razek – krijuesi i hershëm i linjave të Victoria’s Secret, i cili për më shumë se 15 vite ka zgjedhur të gjitha modelet – u shpreh se “në shfaqje nuk mund të bëheshin pjesë modelet transgjinore” sepse sipas tij, “shfaqja ka për qëllim të jetë argëtuese dhe është fantazi”.

Sigurisht që një koment i tillë nuk pritej nga dikush që është cilësuar nga Forbes në vitin 2007 si një nga pesë njerëzit më të rëndësishëm në modeling, ndaj kritikat e ashpra nuk munguan. Më pas, Razek kërkoi falje dhe theksoi se “modelet transgjinore do të jenë me patjetër pjesë e Victoria’s Secret”.

MOS I HUMBISNI