Disa orë më parë, përmes një postimi në Instagram Story, Renato Mekolli lajmëroi rikthimin e reality show- t të gatimit “Hell’s Kitchen”. Shefi i kuzhinës, uroi edhe autoren Zefina Hasani për rikthimin në Top Channel.
Nën emrin e asaj mbajnë autorësi disa emisione të rëndësishme si “Big Brother” apo “The Voice of Albania”. Ju kujtojmë se tre vite më parë, bëri bujë lajmi i ikjes nga puna të Zefinës në formatin e The Voice- t. Siç asokohe u titullua një artikull i Anabel.al, ishte Ledri Vula ai që e përçau stafin.
Më 8 prill të 2016- s, ndonëse fansat e reperit u gëzuan për pjesëmarrjen e tij në emision, prania e Vulës shkaktoi polemika midis grupit realizues të programit. Hasani, e cila nuk kishte qenë aspak dakord me vendimin e drejtorit artistik, Alban Males për ta ftuar reperin të këndonte live, reagoi përmes një statusi në Facebook:
“Ledri pa zë, veç figurë. Në audicionet e hapura, ku prisnim e dëgjonim zëra të shumë aplikantëve që synon të bëheshin pjesë e “The Voice of Albania 5”, ndodhte shpesh që të vinin ta provonin shansin me këngët e Ledri Vulës. Ishim kategorike për të mos i lejuar, sepse ato këngë s’ta nxjerrin dot në pah zërin. Jam e sigurt, që edhe ai vetë, po të vinte në "The Voice", ato butonat e kuq nuk do të ishin ndezur për të. E megjithatë, ja ku vjen një ditë që Ledri vjen si i ftuar në natën gjysmëfinale të “The Voice of Albania 5”, sigurisht me këngët e tij që s’kanë nevojë hiç për zë, por që për hir të vërtetës, duhet thënë se kanë pushtuar tregun muzikor. Të rinjtë e duan, e klikojnë e ndjekin çmendurisht pikërisht për llojin e muzikës që ai sjell në treg dhe për llojin e imazhit që ka krijuar. S’di sa do ta pranojnë e do ta pëlqejnë sontë në mbrëmje brenda kontekstit të “The Voice of Albania 5”, ku për hir të së vërtetës duhet thënë që pushtetin e ka zëri po aq sa stili e imazhi. Në ju pëlqeftë, shijojeni! Në mos ju lutem mos më gjykoni për keq sepse unë isha kundër pjesëmarrjes së tij në "The Voice". Qofsha unë gabim në këtë gjykim. Ndoshta udhëheqësi artistik Alban Male e ka nuhatjen më të saktë, përderisa e pranoi Ledrin dhe muzikën e tij në këtë skenë.”
Megjithatë, duket se marrëdhëniet janë ndrequr!