Sot, siç u bë me dijeni të shtunën e javës që lamë pas, Ilir Meta firmosi shfuqizimin e dekretit (nr.10928) për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Shënim: DEKRET m. Akt i shkruar i një organi të lartë të pushtetit shtetëror ose i kryetarit të shtetit, që ka fuqi ligjore.
Në një kohë ku mbetet për t’u parë vazhdimësia e situatës së krijuar si dhe ndikimi i marrjes së vendimit në fjalë, të paktën e gjitha kjo ia vlejti për diçka që në fund të ditës, ka shumë më shumë rëndësi seç mund të mendoni. GJUHA SHQIPE!
Aktualisht po raportohet me shpejtësi zhvillimi më i fundit në vend dhe bashkë me të, paralelisht, edhe deformimi i gjuhës shqipe. Nëse jeni përditësuar me lajmet më të fundit, nuk mund të mos jua ketë zënë veshi fjalën “ç’dekretoj” apo “çdekretoj”.
Ideja konsiston në kryerjen e veprimit të kundërt të “dekretoj”. Ç’është e drejta, nisur nga rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe, forma e saktë është zhdekretoj.
“Fjala e ditës “zhdekretoj” do shkruar me zh- dhe jo me ç-, as me ç me apostrofë (ç’). Rroftë presidenti, që na e rikujtoi rregullin e drejtshkrimit.” shkruan Elsa Skënderi Rakipllari, pedagoge në Departamentin e Gjuhës Shqipe.
Duhet të dini se marrin zh- ato fjalë që nisin me një bashkëtingëllore të zëshme (b, d, g, gj, v).
E nëse zhdekretoj ju duket po aq "e çuditshme" sa zhdoganoj apo zhgjakësohem mund fare mirë të përdorni anuloj. U anulua dekreti.