KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Celebrity

Detaje të reja nga ndarja e bujshme e Bradley Cooper me Irina Shayk

Shkruar nga Anabel

7 Qershor 2019

Pas muajsh spekulimesh se gjërat mes tyre nuk po shkojnë siç duhet, Irina Shayk dhe Bradley Cooper i dhanë fund lidhjes së tyre 4-vjeçare, sipas burimeve të People. Së fundmi, burime të tjera, theksuan për Entertainment Tonight se ishte pikërisht Irina ajo që kuptoi se marrëdhënies po i vinte fundit.

“Kohëve të fundit, Irina e kuptoi që u mbush kupa,” u shpreh burimi. “Ajo ndjeu se nuk po merrte vëmendjen që donte dhe se debatet e përditshme u bënë të padurueshme. Ata janë njerëz shumë të ndryshëm dhe Irina kuptoi se e vetmja gjë që i mbante të lidhur ishte fëmija.”

Po i njëjti burim, shton se “dyshja nuk pati kurrë mundësinë që ta njihte njëri-tjetrin larg sferës familjare”. Marrëdhënia e tyre ishte pothuajse e shkatërruar para se të dilte filmi “A Star i Born”, por menduan të mos ndaheshin asokohe në mënyrë që të mos shkëpusnin vëmendjen nga filmi.

Më vonë, Irina mendoi që të merrnin kohën e duhur për të rindërtuar marrëdhënien e tyre, megjithatë supermodelja “kuptoi se asgjë nuk shkoi siç e kishte planifikuar”. “Ajo e donte Bradley-n në shumë mënyra, por ishte e palumtur. Ai punonte gjatë gjithë kohës.”

Bradley dhe Irina nisën romancën në 2015-n dhe në 2017-n erdhi në jetë vajza e tyre, Lea De Seine. Aktualisht duket se të dy po punojnë shumë rreth ndarjes së kujdestarisë, në mënyrë që Lea të mos ndjejë mungesën e asnjërit prej prindërve.

MOS I HUMBISNI