Një raport i shëndetshëm mes eprorit dhe vartësit është çelësi i suksesit të një punë produktive dhe jo fort stresuese. Por mesa duket, në vendin tonë, raportet shef- punonjës nuk janë ende aty ku duhet.
Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, hartuar nga Komisioni Europian, rreth 51% e shqiptarëve të pyetur janë përgjigjur se i vlerësojnë marrëdhëniet epror-vartës si shumë të tensionuara, rreth 34% i vlerësojnë disi të tensionuara dhe vetëm 16% janë shprehur se midis tyre nuk ka tension. Ndërsa të ndarë sipas grupmoshave, në një përqindje shumë të lartë (rreth 55%) të rinjtë e moshës 18-24- vjeçare janë shprehur se marrëdhëniet midis eprorit dhe vartësit janë shumë të tensionuar. Përsa i përket grupmoshave të tjera përqindja ka qenë më e ulët. Po ashtu, edhe individët me të ardhura të ulëta janë përgjigjur në një përqindje të lartë se marrëdhëniet epror-vartës janë shumë të tensionuara.
Shqiptarët i kanë vlerësuar marrëdhëniet epror-vartës si më të tensionuarat në të gjithë Europën. Në vendet e Bashkimit Europian përqindja përsa i përket ccështjes në fjalë është 24%, më pak se gjysma e të pyeturve në Shqipëri. Ndërkohë 59% i kanë vlerësuar raportet si disi të tensionuara. Në Europë përqindjen më të ulët e ka Danimarka, me vetëm 4% të të pyeturve, së bashku me Finlandën dhe Suedinë me përkatësisht 11%. Ndërsa me përqindjen më të lartë janë vlerësuar Hungaria dhe Kroacia.
Në vendet e rajonit vërehet se përqindja e njerëzve që i vlerësojnë marrëdhëniet punëmarrës dhe punëdhënës si të tensionuara është relativisht e lartë, duke tejkaluar edhe mesataren Europiane. Pas Shqipërisë vendi me përqindjen më të lartë është Maqedonia me 47% dhe Serbia me 43%. Ndërsa përqindja më e ulët vërehet se është në Malin e Zi dhe Turqi me përkatësisht 30%.
Burimi: Monitor
Ndërkohë këtu mund të gjesh 5 tipare të shefit ideal dhe të zbulosh nëse e ke një të tillë!