
Së shpejti, në RTSH, nis transmetimi i emisionit më të ri “Me Bledin” që do të drejtohet nga Bledi Strakosha. Nisur nga spoti, duket se ai do t’i rikthehet një formati të ngjashme me emisionin që nisi transmetimin në 2003-shin, “Blue”, me të cilin është identifikuar përherë.
Në një intervistë për Panorama Plus, Bledi shton se “Blue erdhi në ekran në një kohë kur mungonin thuajse krejtësisht intervistat me personazhet e njohur”.
“Sot ka shumë formate që e kanë pasuar. Kështu që, në një kuptim mund ta quajmë një rikthim të 'Blue', në kuptimin që do të flitet për jetën, ndjesitë, të rejat, etj., por do të jetë më show dhe më argëtues, sepse jetojmë në kohë të tjera. Rëndësi për mua ka që çdo personazh i ftuar të ndihet vetvetja, ta harrojë që po xhirohet nga kamerat e po shihet nga mijëra sy dhe të flasë sa më hapur të mundet.”
Programi do të ndërohet me bazë intervistën, ku njerëz të famshëm do të rrëfejnë “sekretet” e tyre, duke nisur fillimisht në bar e për të përfunduar te dhoma e gjumit e hotel Plaza-s.
“[…] më tej do të vijojë në restorantin, palestrën, spanë dhe në fund në dhomën e gjumit të hotelit. Të gjitha këto ambiente do të nxjerrin në pah anë disi të panjohura të personazheve.”
Strakosha nuk preferoi të zbulonte disa nga emrat e personazheve të ftuar, megjithëse shtoi se “janë njerëz të rëndësishëm që rrallë janë shprehur publikisht”. Personazhet do të jenë të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova.