Walt Disney Animation Studios lançoi dje një video me disa pamje të sezonit të dytë të “Frozen”. Videoja u rendit menjëherë në #1 Trending në YouTube, përfshirë këtu edhe vendin tonë.
Frozen 2 do të dalë në nëntor të këtij viti dhe është një vazhdim i sezonit të parë që doli në vitin 2013 duke u bërë filmi më me fitime i të gjitha kohërave në llojin e vet. Disney njoftoi në 2015-n se do të kishte një seri tjetër, puna për të cilin nisi në 2017-n.
Fill pas lançimit të videos, njerëzit në internet vunë re detaje të rëndësishme.
Është një vjeshtë e bukur në Arendelle, por muzika në sfond paralajmëron rrezik. Anna (Kristen Bell) përpiqet të ngjitet mbi disa gurë të rrezikshëm, ndërkohë që Elsa (Idina Menzel) përdor fuqitë e saj për të kaluar një det me stuhi. Ç’rrezik po kërcënon mbretërinë?
Përmbledhja hapet me një sekuancë prej 40 sekondash ku Elsa përpiqet të kalojë detin. Dallgët e fuqishme ngritën menjëherë një tjetër teori – ndryshimi i klimës!
Disa diamantë të çuditshëm qëndrojnë jashtë kështjellës që sigurisht nxiti të tjera dyshime pasi edhe Disney publikoi këtë foto. Pra, diamantët kanë një rol të rëndësishëm në film.
Dy figura të reja zbulohen në vetëm pak sekonda: një grua me flokë të kuqe/kafe dhe një personazh tjetër me flokë të verdhë, që nuk dallohet mirë nëse është grua ose burrë. Ndoshta një nga këto personazhe mund të jetë e dashura e protagonistes.
Frozen frymëzoi një lëvizje të re tek tifozët e filmit, #GiveElsaAGirlfriend, të cilët kërkonin që ajo të dashurohet me një grua në pjesën e dytë. Gjithçka nisi nga fabula e filmit të animuar: Sekreti i Elsës konsiderohet i rrezikshëm nga familja, e cila e detyron atë ta mbajë të fshehur duke e mbyllur, në pjesën më të madhe të kohës, në dhomën e saj. “Conceal it, don’t feel it” (Fshihe, mos e ndiej!) është një varg i kolonës zanore të interpretuar nga Idina Menzel “Let It Go”, fituese e çmimit Oscar si “Kënga më e mirë origjinale”.
Gati një vit më parë, shkrimtarja dhe regjisorja Jennifer Lee u shpreh e hapur ndaj idesë se Elsa mund të jetë lesbike.
“Po më pëlqen ideja që njerëzit po flasin për filmin tonë, jemi duke krijuar një dialog. Elsa është një karakter i mrekullueshëm, flet për kaq shumë njerëz. [...] Ne jemi të vetëdijshëm për kërkesën e re, po e bisedojmë. Do ta shohim ku do na çojë.” - tha ajo për Huffington Post.
Për filmat e Disney-t është aluduar edhe më parë se kanë patur çifte homoseksuale. Për shembull, tek “Finding Dory”, të gjithë pyetën nëse ishte apo jo një çift lesbikesh në film. Regjisori u shpreh se personazhet mund të jenë ashtu siç ju i dëshironi.
Nëse një prej personazheve misterioze është e dashura e Elsës, atëherë “Frozen” do të jetë filmi i parë në historinë e Disney-t me një princeshë lesbike.