Nëse kthehemi pas në kohë, në një artikull të vitit 2017, ndër të tjera shkruanim se “nëse nuhatja nuk na gabon, Valdrin Sahiti s’e ka të largët ditën kur do të dizenjojë fustane për ceremoni prestigjoze si Oscar apo Grammy”. Dhe ja ku jemi sot: Valdrin Sahiti vesh yjet për Oscar dhe së fundmi, Grammy!
Këto janë Chloe dhe Halle Bailey, motra, të panjohura deri pak vite më parë. Por gjithçka ndryshoi kur rastësisht Beyonce dëgjoi në YouTube një cover të këngës “Pretty Hurts” dhe menjëherë i mori në menaxhim në labelin e saj Parkwood Entertainment në vitin 2013.
Që prej asaj dite, motrat janë të preferuarat e Beyonce-s. Kaq tani për tani.
Në edicionin e 61 të ndarjes së çmimeve Grammy, teksa performonin në mënyrë fantastike “Where is the Love”, Chloe & Halle zgjodhën të visheshin nga dizajneri shqiptar.
View this post on Instagram
Fustanet mbresëlënës tërhoqën vëmendjen e të gjithëve po aq sa performanca fantastike e dy artisteve të nominuara për Grammy, “Best Urban Contemporary Album” dhe “Best New Artist”.
Përveç tyre, një tjetër emër zgjodhi të vishej nga Valdrin Sahiti për ceremoninë e ndarjes së çmimeve më prestigjoze në muzikë. Bëhet fjalë për këngëtaren dhe tekstshkruesen amerikane Fantasia Taylor, e cila mahniti tapetin e kuq me fustanin e bardhë, të derdhur në pjesën e poshtme dhe me detaje që binin në sy sipër.
Nisur nga gjithë ç’lexuam dhe ç’do të lexoni në vijim, Sahiti është padyshim një dizajner i përmasave ndërkombëtare. Nuhatja jonë nuk gabon, ndaj fustani i Beyonce-s mund të jetë dizenjuar që tani në kokën e Valdrin Sahitit!
Fillimisht, ai debutoi si dizenjator në çmimet “Oscar”, ku veshi aktoren Yvonne Ojri për mbrëmjen e fondacionit Elton John.
Në dasmën madhështore të Serena Williams dy vite më parë, aktorja Nicole Ari Parker u shfaq me një fustan tyl lejla, të zbukuar me motive lulesh dhe të kombinuar me një pellush të së njëjtës ngjyrë.
Në koncertin e Vitit të Ri në Times Square, New York, Bebe performoi me këtë fustan,
i cili fillimisht u krijua për Elvana Gjatën për dokumentarin “3”.
Në janar të këtij viti, modelja dhe aktivistja Iskra Lawrende u shfaq e veshur me një fustan të Sahitit në festën e organizuar nga InStyle dhe Warner Bros, pas ceremonisë së The Golden Globes.