KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Për mendimin tonë

Për Rosela Gjylbegun: A e mendove dy herë këtë deklaratë për trupin e grave?

10 Shkurt 2019

Rastësisht, në një artikull të Blitz.al, m’u desh të lexoja mbrishkrimin e Rosela Gjylbegut sipër një linku të shpërndarë në profilin e saj në Facebook: “Femrat duket të ken tula, kockat jan për qenj [sic]” (Femrat duhet të kenë tule, kockat janë për qentë).

Vlerësimi i trupit, të dashurit veten pavarësisht peshës dhe moskrahasimi i grave, çështje gjithnjë e më të përhapura nëpër internet dhe televizion, duket se janë ende të huaja për një pjesë të mirë të personazheve publikë shqiptarë, përfshirë këtu edhe Rosela Gjylbegun me deklaratën e saj, po njësoj ofenduese sa është fjalia “gratë duhet të jenë elegante, se ndryshe ngjajnë si lopë”.

Ndoshta Roselës nuk i ka rënë rasti të lexojë ose do të ketë harruar se me çfarë lloj e soj torturash janë përballur gratë përgjatë historisë pikërisht referuar “standardit të bukurisë”.

Në pikturat e Rilindjes Europine, gratë e kishin ballin të madh, të lakuar e të çuditshëm, sepse detyroheshin të shkulnin flokët që të krijonin një linjë të drejtë. Gjatë mesjetës shkulnin edhe qerpikët. Në Kinën e shekullit XIII, përdornin metoda të dhimbshme për të patur këmbë të vogla, metoda që shkonin deri në thyerjen e kockave. Në lashtësi, fiset Maya deformonin kafkën e foshnjave. Të gjitha këto për hir të një gjëje: standardi i bukurisë.

Sigurisht që do të ndalem edhe tek pesha trupore: Të kesh apo të mos kesh tule, kjo është çështja!

Rosela Gjylbegu, një person publik që supozohet të ketë një farë përgjegjësie kur poston online, shkroi se “femrat duhet të kenë tule, se kockat janë për qentë”. Në epokën e “belfies”, të pasmeve të mëdha, gjoksit të kërcyer dhe buzëve të plota, koncepti i Roselës për “të bukurën” nuk është i parrahur për njerëzit.

Po nëse zhvendosemi pak më tej, aty rreth viteve ’90-2000, në epokën e Victoria’s Secret Angels, këmbët e gjata, të holla, barku i sheshtë ishin kriteret për t’u (vetë)quajtur “e bukur”. Kockat për të cilat flet Rosela ishin trend në revistat e fillimviteve ’90. Por nëse zhvendosemi akoma më shumë në kohë, disa kilogramë më tepër, përfshirë këtu edhe pilulat për të fituar disa kile të tjera, ishin gjithë ç’duhet të kishte një “grua perfekte”. Marilyn Monroe dhe Elizabeth Taylor jo më kot konsideroheshin ikona bukurie.

Pra, nisur nga fakti se trupi dhe e bukura në tërësi trajtohen për fat të keq njësoj si moda – ç’është sot trend, nuk është nesër – blogerë të shumtë, njerëz me ndikim në rrjete sociale, psikologë dhe jo vetëm, po shpërndajnë me të drejtë gjithë informacionin e duhur se gjithë format trupore, me ose pa tule, janë të përsosura. Të mos flasim pastaj për ndikimin psikologjik që ka një deklaratë e tillë për gratë që vuajnë nga çregullimet e të ushqyerit dhe ndërpreja e ushqimit (anoreksia). Dhe në shumicën e rasteve, anoreksia nuk është vetëm dëshirë ekstreme për të qenë e dobët ku “të duken kockat”, por ka lidhje me çregullim të personalitetit, faktorët gjenetikë, mjedisorë, imazh të keq për trupin etj. E gjitha ç’duhet të bërë është të mos vendosen standarde, përfshirë këtu sigurisht edhe peshën.

“Femrat duhet të jenë aq inteligjente sa të mos e lënë veten të gjykohen nga pesha,” i shkruan një komentuese Roselës. Në një kohë kur njerëzit bëjnë fushata ku theksojnë se gratë nuk kanë pse të jenë si modelet e revistave ose si modelet e Instagramit, një deklaratë e tillë e këngëtares as që e prek thelbin, esencën, nënlëkurën e grave, por fatkeqësisht mjaftohet me sipërfaqen.

Sindi Salaj
 

MOS I HUMBISNI