KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Muzika

‘United States of Albania’: Ç’duhet të dini për albumin më të përfolur të momentit

10 Shkurt 2019

Në një kohë kur pjesa më e madhe e artistëve shqiptarë kanë hequr dorë nga albumet, pasi nuk i shohin si mjet fitimi, MC Kresha dhe Lyrical Son i qëndrojnë besnik lançimit të tyre.

“United States of Albania” është albumi më i ri që pritet të lançohet së shpejti nga labeli P.I.N.T, një produksion i Strike Beatz dhe K-Master në bashkëpunim me reperët e tjerë. Në intervistat e fundit, përkatësisht për Telegrafi dhe Prive, Kresha ka treguar disa detaje më shumë për albumin.

23 këngët e “United States of Albania”.

Pse quhet “United States of Albania”?

“Sepse ky emër paraqet Shqypninë e Bashkueme, sidomos në fushën artistike, një element kyç në afrimin tonë ndërkombëtar.”

A do të ketë bashkëpunime me reperë të tjerë?

“Po, megjithëse mirë është t’ia lëmë fansave t’i zbulojnë vetë emrat. Por ka disa bashkëpunime.”

A do të ketë bashkëpunime me reperet shqiptare?

“Jo, tradita vazhdon. Arsyeja kryesore është që ne na ftojmë në shumë bashkëpunime dhe nuk na ngelet që të ftojmë njeri. Meqënëse se është rap, e bëjmë për qejfin tonë dhe ndjekim traditën e mëparshme.”

Si do të jenë këngët?

“Është e menduar shumë mirë. Do jenë dy pjesë: Versioni ‘me t’shame’ dhe versioni ‘pa t’shame’, për të qenë më të kujdesshëm. Gjithnjë kemi pasur këtë ndarje, këngë me censurë dhe pa censurë. Edhe në videoklipe jemi treguar të kujdesshëm. Kemi fansa të shumtë, ka edhe nga ata që nuk duan t’i dëgjojnë [këngët me të shara].”

Ku qëndon e veçanta e “U.S.A” dhe labelit P.I.N.T?

“Disa këngë janë publikuar me videoklip [si ‘Menemadhe’, ‘Hey Girl’, ‘Duqa Mi Duqa’, ‘Mafia Shqip’], por kemi pritur shumë që të mos zhgënjejmë fansat dhe të sjellim sa më shumë projekte të tjera. E veçanta e P.I.N.T është se problemet nuk i bëjmë publike. Publiku nuk do të dëgjojë problemet tona, por këngët, punën tonë. Gjëja kryesore tek ne është se nuk jemi kompani, por familje artistësh të lirë dhe të gjithë punojmë për vete.”

A është ky albumi i fundit për Kreshën?

“Edhe mundet, nuk i dihet.”

“U.S.A”, që është albumi i tretë ku Kresha dhe Lyrical Son bashkëpunojnë të dy, krahas “Për Inati t'Njoni Tjetrit” (2011) dhe “Rapsodët N’rap T’sotit” (2016), do të lançohet së shpejti dhe nisur nga fakti se MC Kresha dhe Lyrical Son e kanë vërtetuar suksesin bashkë, është e pritshme që ky album të jetë suksesi i radhës.

“Rapsodët N’rap T’sotit” (2016) ishte albumi i parë shqiptar për një treg ndërkombëtar, i cili vetëm dy ditë pasi u publikua në iTunes, Google Play dhe Amazon arriti të renditej në vendet e para të albumeve më të shitura në Zvicër, Suedi e Maqedoni; në Austri në vend të gjashtë dhe në Gjermani në vendin e 12.

“Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se për të qenë artist i mirëfilltë, duhet të realizojmë albume, projekte me të cilat të kemi çka t’u tregojmë brezave pasardhës,” u shpreh MC Kresha në një intervistë ekskluzive për Anabel në 2016-n.

Kopertina e albumit 'Rapsodët N'rap T'sotit'; në foto MC Kresha dhe Lyrical Son.

MOS I HUMBISNI