Aktorja e “Portokallisë” Delinda Disha tregoi për Revista Who ndër të tjera se “ka frikë nga lumturia”. Duket e çuditshme, por ja që është e vërtetë.
Çfarë është ~Cherophobia~?
Cherophobia është fobia nga lumturia. Termi vjen nga fjala greke “chero”, që do të thotë “të gëzohemi”. Kur një person përjeton këtë fobi, ka frikë të marrë pjesë nëpër aktivitete që do të jenë argëtuese dhe të lumtura. Si për ironi të fatit, Delinda punon në një emision humoristik dhe argëtues si “Portokalli”.
Cilat jane simptomat?
Disa ekspertë e klasifikojnë cherophobia–n si një formë të çregullimit të ankthit, pasi në këtë rast ankthi lidhet me pjesëmarrjen në aktivitete që mendohet se të bëjnë të lumtur.
Sigurisht që dikush që vuan nga cherophobia nuk është një person i trishtuar, thjesht ka dëshirën të shmangë aktivitete gazmore.
Disa fjali të zakonshme të njerëzve që kanë frikë lumturinë:
– Nëse lumturohem shumë, diçka e keqe do të më ndodhë më vonë;
– Gëzimi i tepruar ka pasoja;
– Nëse tregoj që jam e lumtur, është diçka e keqe dhe jo e drejtë për miqtë dhe familjen time;
– Përpjekja për të qenë të lumtur është humbje kohe etj.
Cilët preken më shumë?
Ndonjëherë frika nga lumturia mund të jetë thjesht çështje besimi, këndvështrimi se nëse jeta shkon shumë mirë do të thotë që një ngjarje e keqe do të ndodhë së shpejti. Si rezultat, këtë njerëz nuk i preferojnë aktivitete të tilla pasi besojnë se kështu mund të shmangin diçka të keqe. Nëse dëgjoni një mik të thotë “qeshëm ne, po se mos na del me të qarë”, ka gjasa që ai të ketë frikë nga lumturia.
Personat introvertë – të mbyllur, të rezervuar, që qëndrojnë zakonisht vetëm ose me një grup të vogël njerëzish – kanë shumë gjasa ta përjetojnë. Ata ndihen të frikësuar dhe jo rehat në mjedise argëtuese me shumë njerëz.
Perfeksionistët (të lindurit e shenës së Virgjëreshës për shembull) janë një tjetër lloj personaliteti që shoqërohet me këtë frikë. Duke qenë perfeksionistë, ata mendojnë se lumturia është tipar i dembelëve. Si rezultat, shmangin aktivitetet që shkaktojnë lumturi pasi i shohin si joproduktive.
Si mund të trajtohet?
Për këtë fobi nuk është kryer ndonjë studim i detajuar dhe nuk ka barna specifike. Cherophobia vjen zakonisht kur njerëzit përpiqen që të mbrojnë mirë veten, mund të jetë rrjedhim i një konflikti të kaluar, tragjedi, trauma etj.
Nëse fobia ndikon në cilësinë e jetës, duhet kërkuar ndihma e mjekut, në të të kundërt mund të përmirësoni kështu gjendjen: terapi njohëse për të kuptuar linjat e gabuara të të menduarit dhe identifikimi i sjelljeve që mund të ndihmojnë; strategji të relaksimit, si frymëmarrja e thellë ose ushtrimet fizike; hipnoterapi, e cila ndihmon në riprogramimin e subkoshiencës (hipnozë); ekspozimi ndaj ngjarjeve që shkaktojnë lumturi për t’u bindur se lumturia nuk ka efekte negative etj.