Piktori që mashtroi me mijëra njerëz, pendohet para Rudinës

 Read in English

Edlir Reka bëri bujë dje kur të gjithë zbuluan se pikturat me të cilat mburrej, nuk ishin aspak të tijat. Në fakt, bëhet fjalë për fotomontazh të pastër. Në disa piktura madje, ai kishte prerë veten në të njëjtën pozë, ngjitur me piktura të artistëve të huaj, të suksesshëm në vendet e tyre.

Sot, Rudina e riftoi Edlirin në emision për t’i dhënë një mundësi për t’u penduar e ndoshta për të sqaruar gjithë farsën. Ishte një mundësi shumë e mirë, por për fat të keq, ai s’e përdori siç duhet.

Edliri nuk tha asgjë mbi zanafillën e vërtetë të mashtrimit, por thjesht u justifikua me komentet në profilin e Rudina Magjistarit që e nxorrën në pah. “S’është e lehtë të lexosh tituj të tillë në portale, gazeta, fjalë që do të bënin këdo të ndihej keq. Normalisht vritesh shpirtërisht dhe thua pse më ndodhi mua kjo gjë,” tha ai në fillim të intervistës, ku pa dyshim, Rudina nuk u tregua e butë.

Ai pranon që shumica e pikturave në proflin e tij në Instagram, tashmë privat, janë të artistëve të tjerë, por nuk shpjegon pse i bëri tijat apo pse tha se ka fituar në disa konkurse e se do të marrë pjesë në një tjetër. Ai kërkoi ndjesë, nëse mund të quhet ndjesë.

"Dua që ta nis me një falje. Kërkoj ndjesë pafund, ndihem shumë keq dhe kërkoj ndjesë me shumë sinqeritet që nuk e kam shpjeguar dhe treguar si duhet që të mos kishte ndodhur kjo gjë,” tha Edliri.

Arsyetimi i tij pas mashtrimit vijon si më poshtë, por sërish, si gjithë intervista, s’thotë shumë mbi prapaskenat:

“Unë jam mëkatar dhe të tjerët janë shenjtorë. Çdo mëkatar e ka një të ardhme e çdo shenjtor e ka një të shkuar.”

Më pas, në lidhje me pikturën me të cilën tha se do të merrte pjesë në një konkurs në Zelandën e Re, ai tha “kjo nuk është piktura ime e kam marrë nga dikush tjetër sepse nuk është kriter. Më vjen shumë keq që kjo u bë kaq e madhe.”

Sigurisht, origjinaliteti është kriter kudo, puna e tjetrit është e tjetrit dhe kopjimi s’mbart dinjitet. Më tej, Edliri paralelizoi me gjithë ata që kanë kopjuar dhe konkurruar diku si ai, a thua se zhbën dëmin e bërë.

Në fund, ai kërkoi që portalet të kenë kujdes me titujt, sepse është lënduar shumë. Na e merr mendja, po aq sa janë lënduar piktorët e vërtetë, që kanë punuar për artin e tyre, kur kanë parë intervistat e tij mbushur me arritje të paqena. Edliri s'u pendua që vodhi, u pendua që u kap.

Artikuj të ngjashëm