Ndonëse Meghan Marke është për momentin princesha më e famshme në botë, jeta e saj nuk ka qenë perfekte, ashtu siç duket sot. Në një postim të bërë kohë më parë, nga blogu i saj The Tig, (tashmë i mbyllur),Meghan zbuloi sa të vështira kanë qenë për të të 20-at.
Në postimet që tani s’gjenden asgjëkundi, dukesha i përshkruan ato vite si “brutale”.
“Unë jam 33-vjeç tani. Dhe jam e lumtur. Dhe e them me shumë qartësi sepse kjo, kërkon kohën e saj. Të jesh e lumtur. Të zbulosh si të sillesh mirë me veten. Jo thjesht të zgjedhësh lumturinë, por ta ndjesh atë. Të 20-at e mia ishin brutale- një luftë e vazhdueshme me veten time. Gjykoja peshën që kisha, stilin, dëshirën për të qenë në të njëjtën kohë interesante, e zgjuar dhe “ashtu” siç ishin gjithë të tjerët.”- shkruan Meghan.
Çfarë zbuloi me kalimin e viteve, ishte se të jesh vetëvetja mjafton për të qenë e lumtur. Sigurisht, kjo teori funksionoi me/për të dhe tani me siguri të gjithë ata që e kanë bërë të mos e dojë veten në rininë e hershme, janë penduar si mos më keq! Epo, humbën rastin të ishin në dasmën më të famshme mbretërore, apo më keq akoma, të ishin miqtë e princeshës për të cilën po flasin të gjithë!