Gati që në fillimet e karrierës së saj, Kida ishte nën menaxhimin e “On Records” megjithëse siç duket bashkëpunimi i tyre ka marrë fund. Arsyeja: Ka përfunduar kontrata dhe nuk do të rinovohet sërish.
Përmes një postimi në Instagram, ishte Kida ajo që bëri publik largimin.
“Të dashur fansa, miq dhe kolegë, njerëz pa vlerësimin e të cilëve nuk do të isha këtu ku jam sot!
Dua t’ju lajmëroj që nga sot kemi përfunduar kontratën me kompaninë On Records. Publikisht dua të falenderoj të gjithë stafin e punës për punën e palodhshme deri më sot, që kanë qenë pjesë e udhëtimin tim dhe kemi bërë së bashku një punë të madhe e të palodhshme me shumë dashuri.
Unë do të vazhdoj të sjell projekte të reja në vazhdim! Faleminderit shumë.”
Nga ana tjetër edhe Met Elshani, menaxheri i “On Records”, ka theksuar që sot e tutje të gjithë duhet të kontaktojnë me Kidën në lidhje me koncertet ose bashkëpunimet.
“[...]Sot përfundon kontrata mes artistes sonë Kida dhe kompanisë On Records. Ishin plot vite punë, dashuri dhe energji pozitive mes nesh. Kidës i urojmë së pari shëndet dhe suksese në karrierën e mëtejshme.” – shkruan ndër të tjera ai.
Ndryshe nga Mozzik dhe Getinjo, Kida u largua nga kompania muzikore në mënyrën më të qetë të mundshme.