Nëse ka diçka për të cilën Shqipëria klasifikohet ndër vendet e para në Europë, është niveli i ndotjes. Në një artikull të publikuar tek Monitor, thuhet se sipas “Numbeo” vendi ynë dhe Maqedonia janë vendet më problematike përsa i përket ndotjes së mjedisit.
Për vitin 2019 Shqipëria ka patur një indeks ndotjeje prej 77.07 e ndërsa Maqedonia 80.85. Krahasuar me një vit më parë, indeksi i ndotjes tek ne është rritur, e ndërsa në vendin fqinj ka shënuar rënie.
Faktorët kryesorë që çojnë në një përfundim të tillë janë ndotja e ajrit dhe ujit. Në një artikull të publikuar në tetor të 2018-ës, thuhej se 3 qytetet me nivelin më problematik të ndotjes së ajrit këtu tek ne janë Tirana, Korç dhe Elbasani.
Përpos Shqipërisë dhe Maqedonisë, vendin e 3-të për nivelin më të lartë të ndotjes e zë Ukraina, për tu pasuar nga Bullgaria, Bosnja, Rusia e më tej Serbia.
Padyshim, kjo është një ndër problemet më shqetësuese për popullatën pasi lidhet drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës dhe shëndetin. Vendi më i pastër në Europë mbetet Finlanda, e ndjekur nga Islanda, Suedia, Estonia dhe Norvegjia.