Emri: Batanija për qen që kushton rreth $6,500 (700,360 lekë).
Mosha: Një vjeç e pak.
Paraqitja: E kuqe, me print të bardhë.
Dhe kushton sa lekë the? Rreth 700 mijë lekë të reja, ose 7 milion të vjetra. Si ta keni për mbarë. Plus minus çmimi i qenit.
Me atë çmim që ka, nuk vjen e shoqëruar me qenin? Sigurisht që jo.
S’e besoj se ekziston dikush në botë të blejë një batanije aq të shtrenjtë për qenin. E kane blerë Beckham-ët.
Ah, po tani ka kuptim. E kanë blerë vërtet? Mesa duket. Victoria Beckham postoi së fundi një foto të qenit të tyre, Olive, mbështjellë me batanijen në fjalë teksa po përkëdhelej nga David në divan.
E lënë qenin të hipë mbi divan? Po pra.
S’ia kisha idenë që ekzistonin batanije aq të shtrenjta për qen. Dhe kishe të drejtë. Batanija më luksoze për qen kushton diku te $320.
Po kjo e kuqja nga doli? Batanija i përket bashkëpunimit të 2017-s së Louis Vuitton/Supreme dhe është dizenjuar për njerëz.
Louis Vuitton dhe Supreme? Po, shtëpia e nderuar e modës dhe brandi streetwear shpresuan për një miksim të suksesshëm të logove.
Dhe si u doli? Jo dhe aq mirë. Sipas kritikëve, bashkëpunimi dëmtoi imazhin e të dy firmave. The New York Times e quajti “versioni i modës së një vrasjeje të pasuar nga një vetëvrasje.”
Sa keq. Po sidoqoftë, qentë s’marrin vesh nga moda. E drejtë. Qentë as nuk i shohin të gjitha ngjyrat dhe për më tepër, veshin ende pellush. Pf.
Jam i sigurt që qeni s’ka kushtuar as sa gjysma e batanijes. Mos fol kështu se s’i dihet. S’është një qen i rëndomtë. Ka 70,000 ndjekës në Instagram.
Pra qenka blogere qensh? Me shumë mundësi.
Ç’të thoni: “Ky byrzylyk Cartier s’më shkon me kurorën. Le ta mbajë macja si qafore.”
Ç’të mos thoni: “Olive Beckham – qeni që nxorri nga balta Louis Vuitton.”
Burimi: The Guardian