Mbrëmja po shkonte mirë. Ishim ulur në tavolinë, ti, unë dhe bashkëshorti im, dy vajzat tona adoleshente. Më duket se kishe pirë më shumë verë se ç’duhej.
Pastaj, vura re ç’po thoje. “S’haja kurrë drekë në shkollë. I ruaja lekët dhe blija ndonjë gjë tjetër, po drekë s’haja kurrë. Dilja e fituar në të dy anët."
Nuk e di pse nuk t’u ktheva në moment. Ndoshta u shokova nga fakti që the diçka kaq të papërgjegjshme në sy të vajzave të mia. E madhja t’u përgjigj: “Unë ha gjithmonë drekë. Ha shumë dhe nuk shëndoshem.” E vogla nuk foli.
Jam jashtëzakonisht e nevrikosur nga kjo mburrje e jotja, nga fakti që s’u mendove një sekondë për ndikimin që do të kishe. Ke vuajtur tërë jetën nga çrregullimet e të ngrënit. Të kam parë me mijëra herë të hash sheqerna me tepri e më pas të qortosh veten pa mëshirë. Ke shkatërruar aparatin e tretjes. Seriozisht u the vajzave të mia të ndjekin hapat e tu?
Ti nuk je njeri i keq, krejt e kundërta në fakt. I do mbesat dhe vërtet e vlerësoj ç’bën për to. Por ndonjëherë, s’e vret mendjen për gjërat që thua, e lë narcisizmin të fitojë mbi respektin për të tjerët. S’e kuptoj si u mburre para vajzave të mia për faktin se vdisje urie me dëshirë.
Është akoma më e pabesueshme për mua, që kam vuajtur vetë nga anoreksia kur isha adoleshente. Ia kam dalë rikuperohem, ia kam dalë të mos ua shkaktoj fëmijëve të mi. Them se jam me fat që jam gjallë. A s’ke mësuar asgjë gjithë këto vite?
Dua të të kërkoj të kesh më shumë kujdes me gjërat që thua në prani të vajzave. Por e di që ose do të mbrohesh mes lotësh, ose do të më sulmosh pa mëshirë. E pranoj që s’do të ndryshosh ndonjëherë.
Kam vendosur t’u zë besë vajzave të mia. Ato s’mendojnë se të jesh e dobët është gjë e mirë. Heroinat e tyre janë gra të kolme, por së pari, gra të talentuara e të arrira. Besoj se i kanë shpërfillur fjalët që the atë natë si vanitet i vjetëruar i një gruaje të burgosur në kafazin që ndërtoi vetë. Vajzat e mia nuk janë të burgosura. Besoj se vlerësojnë gjërat që mund të bëjnë me trupat e tyre, jo ç’masë xhinsesh janë. I pret një e ardhme më e mirë.
Shkruar nga një grua anonime për The Guardian