Drejtori ekzekutiv i Amazon, Jeff Bezos, njoftoi se është në një proces divorci me bashkëshorten MacKenzie. Arsyeja e ndarjes thuhet të jetë një marrëdhënie jashtëmartesore e Bezos.
Bezos, 54 vjeç, dhe Lauren Sanchez, 49 dhe ish-prezantuese në Fox, thuhet se janë në një lidhje që prej qershorit të vitit 2018, sipas National Enquirer.
Një tjetër burim pranë Jeff Bezos tha për Daily Mail se ai filloi të takohej me Sanchez pasi u nda nga gruaja, megjithëse National Enquirer pretendon se në fakt çifti u përfshi në një histori tradhtie.
MacKenzie ishte një ndër punonjëset e para të Amazon dhe u njoh me Jeff para se ai të themelonte Amazon. Çifti ka një pasuri që arrin deri në 137.1 miliardë dollarë dhe janë prindër të 4 fëmijëve.
Është ende e paqartë si do të ndahet pasuria, megjithëse thuhet se Jeff do t’i japë ish-bashkëshortes 67 miliardë dollarë duke u bërë automatikisht divorci më i shtrenjtë në botë.