Pas vitesh të tëra të mbushura me thashetheme, më në fund mund të flasim me siguri: Margot Robbie do të luajë rolin e Barbie në rikrijimin live-action. Aktorja do të shërbejë dhe si producente, bashkë me bashkëshortin e saj Tom Ackerley.
Ky projekt do të jetë i pari live-action i françizës Barbie dhe filmi i parë i kompanisë Mattel Films, degë e kompanisë së lodrave që prodhon ndër të tjera, edhe kukullën Barbie. Nuk dihet ende asgjë për sa i përket fabulës apo datës së publikimit.
Në një deklaratë për shtyp, Margot foli me lëvdata për Barbie-n, pasi sipas saj, kukulla promovon “vetëbesim, kureshtje dhe komunikim” dhe i ndihmon fëmijët “ta shohin veten në role frymëzuese si presidentë a princesha.”
“Është një nder i madh për mua të luaj këtë rol dhe të jem producente në një film që do të ketë ndikim tejet pozitiv te fëmijët dhe shikuesit në gjithë botën,” shton ajo në deklaratë.
Amy Schumer u përzgjodh në vitin 2016 për të luajtur rolin e Barbie-t, por aktorja u tërhoq disa muaj më vonë. Në 2017-n u tha se Barbie do të ishte Anne Hathaway. Ndërsa thashethemet se rolin ikonik do ta luante Margot Robbie nisën që në 2015-n e u vërtetuan dje.
Robbie ka evoluuar shumë si aktore përgjatë viteve të fundit, përfshirë Harley Quinn në “Suicide Squad”, Tonya Harding në “I, Tonya” dhe së fundi, Mbretëresha Elizabeth në “Mary Queen of Scots.” Edhe pse fansat do të fillojnë ta quajnë thuajse menjëherë Barbie, Robbie i është shmangur roleve që kërkojnë një fizionomi të caktuar.
“Kur përpiqesha të bëja një emër për veten, rolet për gra ishin të limituara,” tha ajo për Harper’s Bazaar në kopertinën dhjetor 2018/janar 2019. “Nuk doja një skenar ku luaja gruan ose të dashurën – një katalist për protagonistin. S’më frymëzonte.”