KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Për mendimin tonë

Ngri duart lart nëse ta ka shpifur portali i universitetit tënd!

8 Janar 2019

Sa herë përpiqen të argumentojnë një tezë, njerëzit orientohen drejt shembujve madhorë dhe fjalëve pompoze; megjithëse të vërtetës s’i duhen fort stërhollime.

Që të dal drejt e në temë me ju, vëmendjen sot dua ta vë te arsimi, ai që ka vuajtur për më shumë vëmendje këto vite. Përpiqemi të përmendim shifra, të nxjerrim skandale fondesh, të fotografojmë furnelat apo sfungjerët pseudodyshekë të konvikteve për t’i mbushur mendjen njëri- tjetrit se ky sistem arsimor çalon nga këmbët, duart a ku ta di se çfarë. Nuk është e nevojshme!

E vërteta bëhet e qartë, si e zeza në të bardhë, kur e ilustron me shembuj fare të thjeshtë, me më banalin e mundshëm. Kërkon të më tregosh se ky arsim ka probleme? Hap portalet e universiteteve, ja kaq bëj!

Në një kohë kur universitetet e huaja e kanë përqafuar, trupëzuar dhe bërë pjesë të metodikës së tyre teknologjinë; Universiteti i Tiranës ka një faqe zyrtare, historiku i së cilës është në pikë të hallit. Ashtu si CV- ja për një individ, historiku është A- ja e prezantimit të një universiteti. Mjafton të shkoni vetëm në këtë faqe, pa u lodhur shumë dhe do të përballeni me gabime të shumta drejtshkrimore (që në fjalinë e parë!), fjali të thata, të cunguara a thua se janë marrë shabllon nga një përkthim i mjerë me Google Translate.

Ndaloni për pak dhe përpiquni ta vlerësoni rëndësinë e gjithë kësaj që ju përmenda më sipër. Kaq e pamundur është të lexojmë një faqe në shqip, nga fillimi në fund pa as më të voglin gabim? Ku ikën gjuhëtarët, lektorët, redaktorët?

Mbase e nisa mbrapsht fjalën time. Shkova u mora me të parin shqetësim që më ra në sy, nga frika se do shfaqeshin aq shumë të tillë rrugës sa s’do dija ç’të bëja më parë. Eja bëjmë diçka bashkë. Unë dhe ti i riu në Laprakë, Burrel, Memaliaj, kudo je tani. Hap portalin e universitetit tënd dhe më thuaj ç’sheh. Më lër ta nis unë me atë të Universitetit të Tiranës, Fakulteti Histori Filologji. Është kot fare! E di pse shprehem kështu, pa më të voglin problem se mund të më quajnë bukëshkalë? Se kam dy miq të ngushtë (pa punë) që jam e sigurt se do kishin realizuar një faqe shumë më të këndshme dhe funksionale se ajo që është momentalisht (është i thënçin).

Shihni pak çfarë na shkruajnë të rinjtë në faqen tonë në Instagram:

S’është aspak e hijshme, ose lëre ç’them, ËSHTË E TURPSHME që në një kohë kur bota flet rreth transplantit të kokës, studentët e një shteti në mes të Evropës nuk hapin dot website- n të regjistrohen për provim. Nëse bursat, tarifat apo ligjet duan kohë, të paktën faluni të rinjve ca portale arsimore për së mbari. Ju duhet një kompjuter dhe pak dashuri për këtë vend. Përndryshe na jepni akses se e bëjmë vetë!

 
Denisa Skodi
Gazetare
  
       
 

MOS I HUMBISNI