MC Kresha ishte i ftuar në emision “NIN” në Klan Kosova, ku ndër të tjera u pyet edhe për faktin që pse prej kohësh nuk jep më intervista për “Prive”.
- Ka kohë që s’të kemi parë në një intervistë në ‘Prive’, pse? – e pyeti Alaudini reperin.
-Meqënëse te ti ka folur Liberta për këtë punë, apo jo? – tha Kresha.
-Ndoshta, ndoshta se ka kaluar shumë kohë, - tha moderatori pasi u mendua për pak sekonda.
- Unë në Prive mund të shkoj shumë lehtë. [Mjafton] një telefonatë e Libertës: “Kresh, çka ka ndodhur, më fal, jemi shokë. Faljen e ke, gjithçka është ok, ka vetëm dashuri mes nesh. Kaq. – përfundoi MC Kresha.
Siç theksoi edhe Alaudini, historia duhet të ketë disa kohë më parë. Për çudi, në internet nuk ka ndonjë dëshmi *të fortë dhe bindëse* për ndonjë debat të mundshëm midis dyshes.
Ne i urrejmë thashethemet (lexo: jo dhe aq), por na duhet të themi se ekziston një artikull shkruar në një portal mbi showbiz-in shqiptar, ku thuhet se në një intervistë për “NIN”, e pyetur se cilin këngëtar shqiptar nuk do ta ftojë në emision, Liberta thuhet se është përgjigjur kështu: “Unë jam e sinqertë, Mc Kreshën. Jo për ndonjë gjë të madhe, por MC Kresha vetëm për një detaj të vogël nuk vjen më te ne, nuk e di pse, ama ai nuk vjen në Prive.”
Siç duket, Kresha pret që Spahiu t’i kërkojë falje pa u ndaluar në detaje të mëtejshme se për çfarë bëhet fjalë.
Anabel është përpjekur të kontaktojë me Libertën dhe artikulli mbetet në përditësim*.