KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Martesa

Në vetëm katër fjalë: S'keni për të lexuar këshilla më të vyera për martesën

19 Dhjetor 2018

Nëse doni të dini si të kujdeseni për makinën tuaj, pyesni një mekanik. Nëse doni të dini si të mirëmbani tubacionet, pyesni një hidraulik. Pse? Sepse ata që riparojnë, dinë si t’u rrisin jetëgjatësinë sendeve që riparojnë. James J. Sexton mendon se i njëjti parim vlen edhe për avokatët e divrocit.

Në librin e tij të ri, “Nëse jeni në zyrën time, është shumë vonë për ju,” avokati prej 20 vitesh i çdo divorci të mundshëm, jep këshilla në bazë të gjërave që mësoi në karrierën e tij. Ndoshta s’duket si personi ideal për të folur për marrëdhënie të suksesshme, por nëse e mendoni pak, s’mund të ketë person më ideal se një avokat divorcesh.

Në një intervistë për Vox, Sexton shpjegon pse martesat dështojnë (kohët e fundit, rrjetet sociale janë gjithnjë një faktor) dhe tregon si të ndërtojmë një marrëdhënie të shëndetshme e jetëgjatë. Gjithë intervista është fantastike, por këshillat e tij mund të përmblidhen në katër fjalë.

Ndalojmë së dashuruari “ngadalë, ngadalë e pastaj menjëherë.”

Kur mendoni për shkaqet më të zakonta të divorcit, natyrshëm ju vijnë ndërmend konflikte dramatike – tradhti, mosdakordësi financiare, mospërputhje seksuale, vizione të kundërta për të ardhmen. Sexton e pranon që të tilla konflikte janë vërtet shkak për divorc, por i mëshon idesë se martesat nuk fillojnë të rrënohen prej tyre.

“Nga perspektiva ime, këto konflikte e kanë origjinën në zgjedhje të vogla që i shtyjnë njerëzit gjithnjë e më larg njëri-tjetrit,” thotë Sexton dhe shton:

“Në librin e Tom Wolfe, “Zjarri i Vaniteteve,” një personazhet tregon si falimentoi dhe një tjetër personazh e pyet, ‘Tim, si falimentove?’ Tim i përgjigjet, ‘Falimentova si çdokush tjetër. Ngadalë, ngadalë, pastaj menjëherë. Ndodhin plot gjëra të vogla deri në momentin kur godet stuhia.”

Për çfarë gjërash të vogla e ka fjalën? “Për çehren e bezdisur, kur partneri ka nevojë për ju. Për neglizhencën, për mungesën e vëmendjes herë pas here. Këto gjëra të vogla, bëhen të mëdha me kalimin e kohës,” thotë ai.

“Dashuria është një folje.”

Kjo frazë e përshkruan për bukuri mënyrën si funksionojnë marrëdhëniet, edhe kur hasen me ndryshime drastike. Suksesi nuk arrihet brenda natës, as një trup i palestruar, as një marrëdhënie nuk dështon krejt papritur. Thuajse çdo arritje e madhe përbëhet nga pengesa të vogla dhe progres i ngadaltë, muaj pas muaji, vit pas viti. Pastaj, në një moment, qëllimi realizohet. Nga jashtë, vihet re vetëm faza finale e progresit, jo rrënjët e thella.

Pjesa më e bukur e intervistës së Sexton nuk është ajo ku flet për rrënimin e martesave, por këshilla që u jep çifteve. Janë vetëm katër fjalë, kështu që bëni mirë të mos e harroni: “Dashuria është një folje.”

“Unë jam romantik, por nuk besoj në përralla. Mendoj se thjesht u tregojmë njerëzve ca gjëra që përbëjnë dashurinë. Dashuria është një folje,” insiston ai. “Ne ndalojmë së dashuruari shumë ngadalë. Është një proces gradual. Ti shton në peshë, por nuk zgjohesh në mëngjes me dhjetë kilogram më shumë. Ti shton në peshë ngadalë, por shton ama. Është e njëjta gjë edhe me dashurinë.”

Parandalimi qëndron te veprimet e vogla, te të vepruarit. Të mos i shmangesh debatit, të mos ankohesh për mënyrën si janë palosur peshqirët, të ofrohesh në një çast të vështirë. Në fjalë të tjera, të veprosh.

“Nëse doni që dashuria juaj të jetojë, duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të korrigjoni veten vazhdimisht. Nëse bëni këtë, s’do të shkelni kurrë në zyrën time,” përfundon Sexton.

MOS I HUMBISNI