KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Për mendimin tonë

Dy fjalë për pedagogët, që po kërkojnë me zor të jenë ndër ‘heronjtë e përrallës’!

16 Dhjetor 2018

Këto rreshta po shkruhen ndoshta me dëshirën për të ndarë shapin nga sheqeri dhe absolutisht jo për të hedhur baltë mbi profesorët e nderuar, që pavarësisht kushteve të vështira ku është përdhosur për vite me radhë universiteti, janë munduar me ç’të mundnin për ta kthyer në mision profesionin e tyre.

Teksa mijëra studentë protestonin rrugëve të kryeqytetit dhe jo vetëm, me shpresën se e ardhmja e tyre do të ndyshojë dhe kushtet e universiteteve/konvikteve do të përmirësohen, një pjesë e mirë e pedagogëve zgjodhën rrjetet e tyre sociale për t’u bërë krejt papritur, ashtu si nga hiçi, mbështetje për studentët.

Revoltimi i tyre i beftë për kushtet në auditore, për tarifat e larta, për vetingun e domosdoshëm të kolegëve etj, nuk arriti dot ta thyente akullin e skepticizmit: Pse pikërisht tani?

– Në këtë pikë, është e drejtë të thuhet se nuk është përgjegjësi e profesorëve të sigurojnë printera për fakultetin apo ngrohje nëpër salla, ama është detyrë – morale mbi të gjitha – të mos sillen në mënyrë skandaloze me studentët.

Ka pafund raste që shkojnë nga mospërfillja, ofendimi në auditor e deri tek ngacmimet seksuale.

– Ndoshta nuk u takon atyre të merren me inventarin e librave të rinj e të vjetër në bibliotekë, por detyrimi i blerjes së literaturës së vet është e turpshme.

– Profesorët kanë qenë të pranishëm kur nëpër sallat e leksioneve me kapacitet po themi 100 studentë, janë ngjeshur si sardele gati dyfishi a trefishi i tyre. Kanë heshtur sepse në fund të fundit, për ta s’ka rëndësi; detyrën e mbaruan dhe “mirupafshim”.

– Të mos flasim pastaj për vonesat e tejzgjatura dhe të përsëritura gjithnjë e më tepër. Ndoshta se një pjesë e mirë janë të punësuar diku gjetkë, në disa punë njëherësh. Për ta, puna e shtetit është thjesht një rrogë plus në fund të muajit. Prandaj bëjeni mirë punën tuaj, ose lirojani karrigen dikujt tjetër.

Ka mijëra të rinj që presin te dera e fakultetit për t’u punësuar si pedagogë. Por pavarësisht studimeve të shumta, mundësitë e tyre janë 0, pasi siç thuhet lart e poshtë: Disa pedagogë e shijojnë më shumë rrogën e shtetit se pensionin.

– Ndërsa për notat dhe rryshfetet kanë folur mjaft studentët gjatë protestës...!

Ndaj sot, lërini për pak kohë hashtag-et e panevojshme #mestudentët, #përuniversitetin, dhe dilni e protestoni “kundër vetes”.

Ngrini zërin për të gjitha rastet kur keni heshtur dhe s’keni folur kurrë zërin për padrejtësitë që u bëhen studentëve; duke filluar nga ai vërtetimi me dy fjali te sekretaria që kushton 400 lekë, kërcënimi me notë për të mbrojtur kolegët, e deri tek kushtet skandaloze të bibliotekave e mungesa e pajisjeve nëpër laboratore.

Për ta përmbyllur, historia e fajit midis qeverisë dhe drejtorëve të fakulteteve është pak a shumë si “veza pulën, apo pula vezën?”. Qeveria e mori goditjen e saj, por as profesorët nuk do të dalin të palagur – jo më kot  studentët kërkojnë “pastrimin” e universitetit nga të paaftët.

Ndaj sot, gjëja e fundit që duhet të bëni, është të silleni sikur jeni një ndër “heronjtë e përrallës”.

Me gjithë respektin për (mos)punën tuaj, heronjtë e vërtetë janë rrugëve me pankarta!

Sindi Salaj
 

MOS I HUMBISNI