Pak orë më parë, policia njoftoi se ka proceduar penalisht 25 persona, mes tyre edhe artistin Robert Aliaj me akuzën për protestim në mënyrë të paligjshme gjatë ditës së djeshme, pa lejen e organeve kompetente dhe duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit si dhe duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit.
Vetë Aliaj ka reaguar për “BalkanWeb” duke thënë se procedimi ndaj tij është absurd dhe se ai madje as nuk ka marrë pjesë dje në protestë.
"Ata që e kanë bërë këtë duan të më vënë kundër shtetit. Është absurde sepse unë kam qenë në fitnes deri në orën 10:00 dhe më pas në shtëpi. Kjo bëhet për të destabilizuar çështjen e studentëve dhe unë jam kundër politizimit të lëvizjes studentore. Unë jam për studentët dhe kam bërë thirrje që ata të tregojnë dialog dhe vendosmëri. Me dialog nënkuptoj paqe. Unë nuk kam qenë fare në qendër dje. Duan të njollosin emrin. Unë nuk mbështes asnjë forcë politike.”
Së bashku me Aliajn janë akuzuar dhe 24 persona të tjerë, ndër ta profesor Edmond Tupja.