U bënë shumë ditë që flemë me shpresë në vendin që kish’ harruar ç’ishte motivi për t’u zgjuar të nesërmen. Pas kaq kohësh, në Shqipëri po ëndërrohet dhe populli është duke besuar realisht se një erë revolucionare po përkëdhel shtetin fatkeq të Ballkanit.
Akulli i skepticitetit që “ky vend s’bëhet” po kriset e ndërsa ata që menduan se “kur duam ne ngrihemi” po shijojnë provën e gjallë të besimit të tyre. Ja pra ku jemi sot, ajo që shumë dëshiruam na u ofrua: Studentët (dhe jo vetëm) janë rebeluar!
Pavarësisht raportimeve në media apo asaj se ç’mund të shkruajë historia nesër, një gjë, ne që po i jetojmë këto ditë s’e mohojmë dot- Forcën e kësaj proteste. S’ka rëndësi cili është arsimi yt, ç’interesa ke apo sa e honeps politikën; energjia e kësaj kryengritjeje na ka kapluar të gjithëve, e të gjithë me zë, nën zë, pa zë lutemi që ata studentë të bëjnë diçka për ne që i duartrokasim nga larg, që kemi frikë, s’kemi nerva, jemi mirë kështu si jemi apo e marrim me mend se asgjë s’ka për t’u bërë.
Deri dje thatë s’ngrihet njeri, ndaj s’ngriheni edhe ju. Ku jeni sot? S’duhet të na interesojë se kush e lindi këtë protestë apo kush po përpiqet t’i hedhë më shumë zjarr për X apo Y përfitim, rëndësi ka që kush është i pakënaqur të veprojë ose të heshtë përgjithmonë. Ndoshta nuk janë rrethanat më të mira të mundshme, por janë krijuar ama. Asnjë protestë revolucionare në botë s’ka qenë realisht aq e pastër sa është dukur së jashtmi, por ka sjellë ndryshime, shumëçka apo diçka ka lëvizur.
Asaj që unë i druhem është vazhdimësia e protestës. Nesër është thënë se do të jetë dita e madhe ku do të marshohet te Mjekësia, Shkencat e Natyrës, Juridiku e kështu me radhë. Do zaptohen paqësisht pikat strategjike për të arritur plotësimin e kushteve. Pikërisht këtu çalon i gjithë ky pretendent për revolucion. Jemi në një moment ku protestuesit duhet ta ndajnë mendjen: agresivitet dhe tentativë për rrëzim qeverie apo paqe dhe dialog. Ose nuk na pëlqen kjo qeveri që na udhëheq dhe duhet të çohemi për ta rrëzuar dhe flakur tutje, ose e mbajmë me argumentin se nuk kemi kë vendosim tjetër (që në thelb s’është argument) dhe i futemi rrugës së dialogimit, që sigurisht ka koston e saj.
Nëse nesër, shumica e protestuesve do të jenë për një marshim dhe revoltë paqësore duhet të vazhdohet sipas logjikës së kësaj rruge: përfaqësimi! Ju duhen disa oratorë dhe mendje të zgjuara që të flasin në emrin tuaj dhe sigurisht ky është një moment super i favorshëm për këta të fundit, që të ngrenë krye. Ndryshe protesta do shuhet krejt pa sens.
Por nëse i druheni vërtetësisë së përfaqësimit atëherë veproni si turmë. Dijeni ama se turma nuk pret, as dialogon. Turma tërbohet, turma merr para dhe rrëzon! Përndryshe siguroni një stadium gjigant, ku Edi Rama të përballet me popullin e tij. E pamundur! As studioja e Alban Dudushit s’na zgjidh gjë!
Kuptoni se në këtë pikë, s’kemi ç’kërkojmë më nga qeveria. I lau duart me ne, studentët, që kur na ftoi për bashkëbisedim e s’na doli kundër. Ndaj ose plotësoni kushtet e saj, ose nesër sillni ndryshime madhore në vend. E zgjidhni ju nëse historia do të shkruajë faqe të tëra për 11 dhjetorin e 2018- s apo do të kalojë nxitimthi si ngjarje nën rreshta.