Gjatë konferencës Live, një nga pyetjet që iu drejtua Ramës nga studentët ishte në lidhje me Taulant Mukën. Pyetja ishte rreth emërimit të tij si zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe më vonë largimi i tij nga ky post. Muka, ndër të tjera denoncoi edhe doktoraturat plagjaturë të disa zyrtarëve. Sot, kryeministri i vendit tregoi si ndodhi emërimi i tij si zv. Ministër për të pasuar më tej me kërkesat e tij.
“Taulant Mukën unë nuk e njihja fare. Më erdhi me një grup pedagogësh, kërkoi takim me Lindita Nikollën dhe ajo e priti. Nikolla më tha që ka një grup pedagogësh, një djalë që është në Zvicër, (ky ndërkohë kishte lëshuar disa nga silurët për plagjiaturat) dhe i thashë silli këtu se kam dëshirë t’i takoj.
Erdhi në zyrën time. Ishim një grup pedagogësh, gra e burra, një djalë nga Kosova dhe ky që e nderova më shumë seç duhet. E pyeta se çfarë bën, më tha jam në katedër shkencëtar në Zvicër. Do vish t’i i thashë në vend të zv.ministrit.”- u shpreh Rama dhe më pas tregoi se që në ditën e parë të postit të ri, vuri re që s’shkonte me Mukën.
“Ça bëri? Ditën e parë më tha dua veturë me shofer. Pastaj tha, po banjën pse nuk e kam në zyrë, po kjo po ajo. Babain e dua shofer të punësuar në ministri tha. Këto m'i thoshte Lindita e thashë çfarë bën ky. Pastaj më çoi një sms, i thashë komuniko me drejtorin e kabinetit. Je shkencëtar, por s’do të thotë asgjë.”- përfundoi Rama duke e quajtur Taulant Mukën “një larvë” dhe kaq.