KESHILLA PER BLERJET TUAJA
[email protected]

Ajo çfarë duhet të ndodhë pas protestave, është testi më i madh i Shqipërisë së sotme.

7 Dhjetor 2018

Protesta e 6 Dhjetorit është shumë e rëndësishme, sepse ndezi tek këta studentë një dritë, një dritë që ata e kishin lexuar në librat e historisë, e kishin parë vetëm nëpër filma e në internet, ndërsa prindërit e tyre dhe të tjerë të brezave më të mëdhenj as nuk e shihnin më: Drita e Besimit.

Ky brez që sot ka mbushur rrugët e Shqipërisë ka lindur rreth viteve 97-të dhe as nuk ka parë trazira e revolucione; hedhjen e bustit të Enver Hoxhës e dinë nga librat; këta të rinj kanë qenë shumë të vegjël për të dëgjuar thirrje përpara kryeministrisë si “Mjaft”, “Nano Ik”, kanë qënë 8-10 vjeç kur shpërtheu Gërdeci dhe asnjë nuk u dënua, kanë qenë ende në pubertet kur u vranë katër të pafajshëm në bulevard gjatë një proteste dhe prapë askush nuk dha dorëheqjen. Këtij brezi askush nuk i foli për protesta, sepse fatkeqësisht, ata lindën dhe u rritën në sistemin më të rrezikshëm të një qeverisjeje: në Paqen e Dorëzimit.

Prindërit e tyre u dorëzuan; pranuan padrejtësitë dhe paguan rryshfete; pranuan se i drejti jo gjithmonë fiton dhe paguan rryfshete; votuan se besuan dhe u zhgënjyen po njësoj; pranuan se çdo deputet, çdo njeri në pushtet me rrogë 100,000 lekë padyshim duhet të vjedhë 1 milionë euro; pranuan se ai i pashkolli, injoranti, agresivi, mund të sundonte me dhunë e forcën e lekut të biznesve të paligjshme e të ngrihej në piedestal.

Ky brez u rrit me prindër konfuzë, që nuk besonin më te këshillat që u kishin dhënë të parët e tyre si “I miri fiton gjithmonë”, “Lufto për të drejtën tënde”, “Investo te diçka që dashuron”, por nga frika u bënë skeptikë e pragmatistë dhe i shtynë fëmijët të “kapnin një shkollë ku bëhej lekë”, “të gjenin një punë shteti të paktën”, “të kapnin ndonjë parti se mos i ndihmonte me punë”; “të mos përziheshin, të mos flisnin, të duronin”, “të ulnin kokën se betejën e kishin të humbur”….

Sot, ashtu vetëm, pa asnjë udhëheqje të rriturish, për herë të parë, studentët po kuptojnë se nëse ngrenë zërin, edhe dëgjohen.

Po mësojnë se ata kanë fuqi mbi pedagogët dhe rektorët kërcënues; po kuptojnë se askush nuk mund t’i shkelë të drejtat e tyre dhe më e rëndësishmja, këta studentë më në fund po mësojnë se asgjë e keqe nuk vjen nga revolta për të drejtat e tua. Historia e Shqipërisë ka treguar se heshtja na ka bërë shumë më dëm.   

Këto ditë këta të rinj janë nën efektin e adrenalinës së turmës, por kur protestat të mbarojnë, shumë me e rëndësishme se pikat që do të përmbushen (natyrisht edhe nëse përmbushen të gjitha, ato kërkojnë kohën e tyre fizike), ajo çfarë nuk duhet t’u humbasë është besimi dhe bindja se ata llogariten dhe duhet të llogariten. Ajo çfarë do të ndodhë pas protestës është treguesi i vërtetë, nëse Shqipëria do të ndryshojë, apo do të përsërisë veten. Por këta të rinj që sot na rikujtuan një leksion të madh të demokracisë, nuk mund ta vazhdojnë të vetëm çfarë nisën. Bashkë me ta, duhet edhe ne të “gërmojmë” e të nxjerrim studentin brenda nesh, atë që e zhytëm në errësirën e Dorëzimit, të bindur fatkeqësisht se ky vend nuk mund të bëhet. Por ja që edhe MUND.  

MOS I HUMBISNI