Rama për protestën studentore: ‘Tarifat s’i përcakton ministria, por universiteti’

 Read in English

Pas protestës që studentët mbajtën para Ministrisë së Arsimit, ministrja Lindita Nikolla dha një konferencë për shtyp në lidhje me problematikat e ngritura, ndërsa kryeministri Rama u prononcua shkurtimisht në Twitter pak orë më parë.

“Thjesht e vërteta:

1.Tarifat s’i përcakton ministria, po universiteti.
2. Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014.
3. VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet.
4. Efekti i VKM nis vitin tjetër.
5. Ministrja u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM,” shkruan Rama.

Ndërsa në konferencën për shtyp sot, Nikolla tha se “kjo pikë nuk ka hyrë ende në fuqi për këta studentë, lidhet me ata që futen këtë vit në vitin e parë dhe vitin tjetër mund të ketë efekte. Sot rektorët dhe dekanët do të adresojnë dhe patjetër jam e hapur që të ecim drejt një propozimi që kjo pikë t'u lihet universiteteve, jo qeverisë. Kjo pikë nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk ka një impakt në asnjë student. Do të futet vitin tjetër. Nëse universitetet janë dakord unë jam gati ta lëmë në tagër të autonomisë universitare."

Studentët kërkojnë që tarifa pej 670 lekë/kredit të provimi të mbartur të mos implementohet, të ulet tarifa vjetore e studimeve dhe të mundësohet pagesa e saj me këste ose me afat të shtyrë.

Studentët kanë planifikuar një tjetër protestë nesër dhe kanë ftuar të tjerë si ata të bojkotojnë mësimin.

Artikuj të ngjashëm